Kuvendi i Maqedonisē së Veriut votoi sot me procedurë të shkurtuar ndryshimet e Ligjit për pagesë të rrogave, që parasheh prej shtatorit të vitit 2019 rrogat të rriten për 5 për qind për të gjithë të punësuarit në sektorin publik. Deputetët votuan nevojën për miratim të ligjit me procedurë të shkurtuar, pas propozimit të deputetëve Jovan Mitreski, Ejup Alimi, Meral Uzeiri-Ferati, Nexhbedin Karemani, Mirosllav Jovanoviq, Jusuf Hasani dhe Jagoda Shahpaska.
Deputeti Jovan Mitrevski arsyetoi se rritja prej pesë për qind të rrogave në sektorin publik do t’i përfshijë shfrytëzuesit e buxhetit – institucionet publike, vetëqeverisjen lokale, fondet sociale, agjencitë etj… “Duke pasur parasysh atë që nuk bëhet fjalë për ligj të komplikuar dhe voluminoz, propozojmë të miratohet me procedurë të shkurtuar”, tha Mitrevski. Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi i angazhoi kryetarët e dy trupave kuvendor – Komisionit për punë dhe politikë sociale, si Komision amë, dhe Komisionit ligjdhënës-juridik, të mbajnë mbledhje për ta shqyrtuar dhe të deklarohen për propozimin.










