Lajçak pas takimit me Kurtin: Të shmanget çdo veprim që mund të përkeqësojë atmosferën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua të premten me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak, ku biseduan për takimin e 2 majit në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Takimi ka ndodhur në Delfi, ku kryeministri Kurti po merr pjesë në Forumin vjetor Ekonomik, i cili organizohet nën patronazhin e presidentes së Greqisë.

Lajçak, përmes një postimi në Twitter, ka thënë se me kryeministrin Kurti kanë biseduar për takimin e 2 majit në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

“Në forumin Delphi në takimin tim me Kryeministrin Albin Kurti, theksova rëndësinë e takimit të dialogut më 2 maj. Do të jetë një hap i rëndësishëm përpara dhe është e rëndësishme të shmangni çdo veprim që mund të përkeqësojë atmosferën”, ka shkruar Lajçak.

Në një komunikatë për media nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, thuhet se Kurti dhe Lajçak diskutuan për takimin e radhës me 2 maj në Bruksel, ku në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, kryeministri i Kosovës do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në takim u diskutua edhe për marrëveshjet e dakorduara ndërmjet palëve më 27 shkurt në Bruksel dhe më 18 mars në Ohër.

“Kryeministri Kurti, theksoi se Marrëveshja bazike duhet të zbatohet e plotë, pa vonesa dhe pa kushtëzime”, thuhet në komunikatën e Zyrës së kryeministrit të Kosovës.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu