LR-PDSH sot mban Kuvendin Qendror, vendime edhe për bashkëqeverisjen me Zaevin

LR-PDSH e udhëhequr nga Ziadin Sela sot do të mbaj Kuvendin qendror ku do të ketë prurje të reja në këtë parti, por edhe vlerësim për politikat e deritanishme të bashkëqeverisjes.

Nga kjo parti bëjnë të ditur për INA se do të jetë një mbledhje konstruktive ku do të ketë rifreskime dhe prurje të reja, që do të jenë motor lëvizës edhe më i madh për LR-PDSH. Kuvendi qendror po ashtu siç mësohet do të vlerësojë bashkëpunimin me partitë në pushtet duke qenë pjesë e koalicionit, por do të betonohen qëndrimet e shprehura më parë sa i përket qëllimit të kësaj partie për të mbështetur një qeveri reformatore që plotëson edhe kërkesat e shqiptarëve. Në rast të kundërt LR-PDSH ka bërë të qartë se pas 100 ditëve do të ikë nga Qeveria, nëse nuk kalon Ligji për gjuhën shqipe, infomon INA.

Kryetari i LR-PDSH, Ziadin Sela ditë më parë ka lënë të kuptohet se nëse brenda 100 ditëshit të qeverisjes nuk arrihet të votohet ligji i ri për gjuhën shqipe, nuk do të ketë më kompromise dhe se siç është bërë e ditur kjo parti nuk do të qëndrojë në koalicionin qeverisës.

“Pas 100 ditëshit të Qeverisë së re nëse nuk arrihet zgjidhje për gjuhën shqipe, nuk do të ketë kompromis. Sa i përket formimit të Qeverisë ne bëmë një kompromis, por pas 100 ditëshit s’ka më kompromis”, ka theksuar Sela gjatë gjatë një takimi me anëtarët nga dega në Gostivar.

Gjithashtu edhe Sekretari i përgjithshëm i LR-PDSH-së dhe Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari në emisionin “Fol Tash” në TV Koha ka thënë se nuk kanë çka bëjnë në qeveri nëse ligji për gjuhë shqipe nuk bëhet për 100 ditëshin e parë të Qeverisë së Maqedonisë.

Në lidhje me këtë problematikë për Express, publicisti, Xhemal Ahmeti thotë se është kontradiktore që BE dhe eurokomesari të futet në këtë mes dhe të kërkojë shtyerjen e miratimit të këtij ligji për një kohë më të përshtatshme pasiqë përdorimi i gjuhës amtare është një nga kriteret bazë të katalogut të BE-së. Sipas tij në këtë proces Hahn nuk përbën ndonjë rrezik. (INA)


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu