Lushtaku: Me Kurtin do të shihemi në gjykatë

Një prej figurave kyçe të UÇK-së, ish-kryetar e tani nënkryetar i Skënderajt, Sami Lushtaku, komentoi zhvillimet e fundit – e sidomos videot e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilat e kanë në qendër vetë emrin e Lushtakut. Në to, ai paraqitet si ‘zhvatës, hajn, pronar terminalesh e biznesesh’.

Për emrin dhe figurën e tij, si personazh në videot e Vetëvendosjes, sidomos këtë të fundit ku Lushtaku prezantohet si pronar terminali, ai thotë se do ta padis kryeministrin Kurti dhe drejtësia duhet të veprojë ndaj këtyre siç thotë Lushtaku – ‘mashtrimeve të Kurtit’.

“Ose unë – ose ai duhet me u përgjigjë thotë Lushtaku”.

“Absolut, unë i njoh të dy pronarët, njani është i Skënderajt tjetri i Kaçanikut dhe s’kam lidhje me terminalet nëse unë rri me ndonjanin prej tyne nuk dmth që jam aksionar, nëse hy e pi kafe në një lokal, nuk domethënë që jam pronar i lokalit. Albini e bën qëllimisht, qysh ka propagandu qe 15 vjet, po e vazhdon avazin e vjetër. Ky për me mbulu mospunën e vet, bën këso video. Këso lloj videosh i kam pa në kohën e Millosheviqit. Kur kam qenë i denum 20 vjet. M’kanë shoshitë për gjithcka. Jam i gatshëm me u përballë me të vërtetën po jo me rrenat e mashtrimet e Albin Kurtit”, thotë Lushtaku.

“Argumente duhet me pasë, fakte duhet me pasë, kur të akuzon dikush për ni terminal ai duhet me pasë argumente dhe fakte. Nuk munet zoti Kurti me lëshu si bombë dicka dhe me u tërheq. Ai kësaj pune duhet me i shku deri në fund.

Mos t’i rren qytetarët më. Duhet me tregu të vërtetën, nëse unë jam pronar i ni biznesi, le të vepron drejtësia. Ja ai duhet me u përgjigjë, ja unë. Njani duhet me u përgjigjë”

Sa i përket aludimit të kryeministrit Kurti, se ‘përgjegjës për djegien e veturës së auditorit të brendshëm të ShSKUK-së janë kompanitë e sigurimeve” dhe me përfundimin se ‘të korruptuarit duhet të jenë në burg’, Lushtaku mohon se është pronar i kompanisë së sigurimeve.

“Është djali i vëllait tem që është me një ortak që dihet me emër e mbiemër, nëse ata vërtet janë ra ndesh me përgjegjësitë që kanë, është drejtësia nuk është Albini, nuk është drejtësia vetë Albini e Qeveria. Është Prokuroria që i heton këto, është ligji e jo Albini. Kompania e sigurimeve nuk është e jemja, mund të vërtetohet lehtë, qysh mund të vërtetohet lehtë edhe terminali”, thotë ai.

“Ai ka mu përball me Gjykatën , do ta padis Kurtoviqin”, shtoi Lushatku.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu