Mbappe tremb Realin, francezi ka një skuadër të preferuar në Premier League

Edhe këtë verë, emri më i lakuar në merkato duket se do të jetë ai i Kylian Mbappe. Sulmuesi deklaroi hapur se nuk dëshiron të rinovojë me Paris Saint-Germain dhe maksimumin që mund të qëndrojë në Francë është deri në vitin 2024. Të gjendur para faktit të kryer, tashmë drejtuesit parizienë janë të gatshëm të dëgjojnë ofertat për 24-vjeçarin në mënyrë që të mos e humbasin me parametër zero sezonin e ardhshëm.

Tashmë, dihet se Real Madrid është pretendenti kryesor për shërbimet e Mbappe dhe se palët duken të destinuara të përfundojnë së bashku. Megjithatë, “Los Blancos” nuk janë hedhur ende në veprim duke iu lënë hapësirë edhe klubeve të tjera të tentojnë francezin. Mbappe ka admirues edhe në Premier League ku spikat Liverpooli.

Por, mediat britanike flasin për një tjetër klub që ka një favor të madh në garën për nënshkrimin me sulmuesin pasi ka pëlqimin e vetë lojtarit. “The Independent”, zbulon se Mbappe është i “joshur” nga Arsenali. Kampioni i Botës me Francën në vitin 2018, beson se mund të udhëheqë “Topçinjtë” drejt titullit kampion dhe të “thyejë” hegjemoninë e Manchester Cityt.

Sipas medias britanike, Mbappe është gjithashtu një “tifoz” i lojës së trajnerit Mikel Arteta dhe nëse do t’i duhej të zgjidhte një skuadër në Premier League, do të ishte pikërisht Arsenali. Problemi qëndron te fakti se “The Gunners” e kanë të vështirë të përmbushin dëshirën e drejtuesve të PSG që kërkojnë jo më pak se 200 milionë euro për Mbappe. Anglezët kanë shpenzuar jo pak në këtë merkato duke transferuar lojtarë si Kai Havertz, Declan Rice apo edhe Jurrien Timber.

Ndaj, për momentin Arsenal-Mbappe mbetet thjesht një plan në letër pasi ende nuk ka asgjë konkrete, me londinezët që nuk mund të shpenzojnë pa limit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu