Italia po përballet me një përkeqësim të motit, teksa autoritetet kanë shpallur alarm të kuq në rajonin e Venecias dhe kanë kërkuar vigjilencë maksimale në Emilia-Romagna për shkak të reshjeve intensive dhe rrezikut për përmbytje.
Sipas autoriteteve të Mbrojtjes Civile, është shpallur gjithashtu alarm portokalli në Emilia-Romagna, ndërsa alarm i verdhë është në fuqi në të gjitha rajonet e Italisë Qendrore dhe Jugore, përfshirë edhe ishujt.
Ndërkohë, vala e të nxehtit po shfaq shenja tërheqjeje. Vetëm Catania dhe Reggio Calabria mbeten me nivelin më të lartë të rrezikut me alarm tw kuq për temperaturat ekstreme, ndërsa Messina është klasifikuar me alarm portokalli. Të gjitha qytetet e tjera janë në nivelin e verdhë.
Për ditën e premte, 3 korrik, parashikohet një përmirësim i mëtejshëm i situatës, me vetëm 9 qytete që do të mbeten në nivel alarmi për vapën, ndërsa pjesa tjetër e vendit do të jetë në nivelin e gjelbër, duke shënuar një lehtësim të ndjeshëm të temperaturave.
Një valë e fortë moti të keq përfshiu mbrwmjen e djeshme Italinë, veçanërisht rajonet veriore, duke shkaktuar stuhi të fuqishme, breshër, erëra të forta dhe përmbytje. Situata ka sjellë dëme materiale, ndërprerje të qarkullimit dhe dhjetëra ndërhyrje nga ekipet e emergjencës.
Në Milano, erërat e forta rrëzuan pemë dhe degë, duke bllokuar linjat e tramvajit dhe përmbytur bodrume. Shërbimi zjarrfikës mori rreth 240 thirrje për ndërhyrje, ndërsa parqet e qytetit u mbyllën si masë parandaluese.
Edhe Torino u godit nga një stuhi e fuqishme me breshër, e cila shkaktoi rrëzimin e pemëve dhe dëme në disa zona. Temperaturat ranë me mbi 10 gradë brenda pak orësh.
Në Venecia, reshjet intensive dhe dukshmëria e ulët detyruan autoritetet të pezullonin përkohësisht fluturimet në Aeroportin Marco Polo. Stuhitë shkaktuan edhe ndërprerje të shkurtra të energjisë elektrike në terminal.
Moti i keq preku edhe Emilia-Romagna, ku u raportuan përmbytje, rrëzim pemësh dhe dëmtime të çative në disa qytete, ndërsa në Genova erërat e forta rrëzuan një skelë ndërtimi. Fatmirësisht nuk pati të lënduar.
Në provincën e Perugias, zjarrfikësit ndërhynë në dhjetëra raste për pemë të rrëzuara dhe objekte të dëmtuara nga era, pa raportime për viktima apo persona të plagosur.
Ndërkohë, në zonën malore të Valle Brembana një rrëshqitje dheu bllokoi rrugën provinciale drejt Branzit, ndërsa në Altopiano di Asiago një vorbull ere shkuli çatinë e një hambari, duke hedhur llamarina në rrugë, shkruan A2CNN.
Edhe rajonet e Trentino-Alto Adige dhe Bolzano u përfshinë nga stuhi të forta, me përmbytje, pemë të rrëzuara dhe madje reshje të lehta dëbore në kalimin malor të Stelvios, si pasojë e rënies së ndjeshme të temperaturave.










