Muslimanët në Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë përgatiten për mijëra kurbane

Ashtu si në vitet e kaluara edhe këtë vit disa ditë para festës së Kurban Bajramit në Maqedoni, Shqipëri dhe Kosove fillojnë përgatitjet për prerjen dhe shpërndarjen e kurbaneve si individualisht nëpër familje ashtu edhe nga shoqata dhe organizata të ndryshme humanitare, duke ju ardhur në ndihmë familjeve në nevojë, raporton Anadolu Agency (AA).

Edhe këtë vit furnizimi për kurbanet për festën e madhe të muslimanëve, Kurban Bajramin në Maqedoni, mund të bëhet në mënyra të ndryshme. Besimtarët muslimanë mund ti blejnë kurbanet e tyre nga Bashkësia Fetare Islame (BFI), shoqatat humanitare dhe në mënyra private. Kryetari i Komisionit të Kurbaneve pranë BFI-së, Rexhep Ziberi, bëri të ditur se çmimi i kurbanit për këtë vit ashtu si edhe në vitet e kaluara është 120 euro.

Ai theksoi se mishi i kurbaneve fillimisht do të shpërndahet për nevojat e medreseve në vend si dhe familjeve të cilët kanë nevojë në vendet e ndryshme të Maqedonisë.

Nga ana tjetër shoqatat humanitare në vend kanë përcaktuar një çmim prej 100 euro, ndërsa në rast se besimtarët dëshirojnë që të blejnë kurbane në mënyrë private çmimet ndryshojnë duke filluar prej 70 euro dhe lartë.

Mësohet se Gjysmëhëna e Kuqe e Turqisë, Fondacioni i Çështjeve Fetare të Turqisë, IHH dhe shumë organizata të tjera do të bëjnë therjen dhe shpërndarjen e kurbaneve në rajon, përkatësisht Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë.

Ndërkohë pjesa e kurbanit e Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan dhe kryeministrit Binali Yıldırım do të theret dhe shpërndahet në Maqedoni.

Ndërkohë edhe besimtarët muslimanë në Shqipëri kanë filluar përgatitjet e tyre për festën e Kurban Bajramit. Për festimin e Bajramit ata kanë nisur të blejnë kafshët që do të bëhen kurban, të cilat i marrin në rrugë të ndryshme.

Komuniteti Musliman i Shqipërisë për këtë vit ka caktuar çmimin për një kurban 120 euro, ku çdo besimtarë përmes këtij institucioni mund të sjellë në vend këtë ibadet. Ndërkohë kafshët mund të blihen përmes tregjeve të hapura në ditë të caktuara ose me porosi nga fermat brenda dhe jashtë vendit.

Si rrjedhojë e situatës jo të mirë ekonomike të masës së gjerë të popullatës në Shqipëri, shumica e kurbaneve në këtë vend bëhen nga shoqatat bamirëse, ku një pjesë e mirë e tyre janë nga Turqia.

Shoqatat bamirëse në Shqipëri kanë vendosur shumën 100 euro si shumën më të ulët për të prerë një kurban, ndërsa çmimi për një kurban bashkë me shpenzimet për prerjen në Shqipëri mund të shkojë deri në shumën 140 euro.

Fondacioni i Çështjeve Fetare të Turqisë (TDV) edhe këtë vit është prezent në Shqipëri. Ky institucion pritet të bëjë gjithsej 910 kurbane nga të cilët 210 në Tiranë dhe 700 në qytetin e Shkodrës.

Ndërkohë edhe Gjysmë Hëna e Kuqe e Turqisë këtë vit merr pjesë si organizatore e therjeve të kurbaneve. Në bashkëpunim me Shoqatën Alternativa e së Ardhmes (ALSAR) ajo pritet të bëjë 875 kurbane të cilët do të priten në qytetin e Lushnjës dhe do të shpërndahen në disa qytete të Shqipërisë.

Gjithashtu edhe shoqata jo qeveritare nga Turqia që pritet të kontribuojnë për Kurban Bajramin në Shqipëri janë IHH dhe shumë organizata të tjera.

Edhe në Kosovë janë bërë përgatitjet e nevojshme për prerjen e kurbaneve. Sekretari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Resul Rexhepi u shpreh se tani janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura që aksioni i therjes së kurbaneve të bëhet në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Duke qenë se kjo festë islame, simbolikë të saj ka edhe kurbanin, ne tashmë i kemi bërë të gjitha përgatitjet për therjen e kurbaneve, të cilat na i porosisin njerëzit gjithandej nga Kosova dhe jashtë saj nga diaspora”, u shpreh Rexhepi.

Ai njoftoi se numri i porosive për kurbanet për këtë vit pritet të jetë rreth 5000-6000, duke vënë në dukje se ky numër ndryshon, meqë porositë do të vazhdojnë deri në ditën e Bajramit. Rexhepi bëri të ditur se çmimi i kurbanit është 120 euro, i njëjtë si në vitet e kaluara.

Rexhepi u shpreh se mishi i kurbaneve do të shpërndahet gjithandej nëpër Kosovë, deri edhe nëpër zonat më të thella të mundshme, kryesisht tek familjet e varfra dhe tek ata të cilët kanë nevojë.

Ai shtoi se për shkak të sëmundjes së gjedheve, kurbanet do të theren jashtë Kosovës, në një shtet të Bashkimit Evropian.

Në Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë të gjithë besimtarët muslimanë do të kremtojnë më 12 shtator festën e Kurban Bajramit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu