Mustafa tregon kush janë fajtorët për mos liberalizimin e vizave

Kryeministri Isa Mustafa ka thënë se qytetarët duhet ta dinë qartë se kush janë ata që po kundërshtojnë që Kosova të këtë kufijtë e vet ndërkombëtar me Malin e Zi, që po pengojnë bizneset të shfrytëzojnë hapësirën që ua ka mundësuar MSA-ja, dhe pse po e bëjnë këtë.

Mustafa, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “Gjeorgjia dhe Ukraina, pas marrëveshjes së rregullave të suspendimit, do të përfitojnë nga liberalizimi i vizave. Kosova, për fat të keq, po ndahet nga ky grup për shkak se opozita po e kundërshton marrëveshjen për demarkacion, që është kusht për liberalizim”, transmeton Telegrafi.

Postimi i plotë i Mustafës:

“Të nderuar miq,

Gjeorgjia dhe Ukraina, pas marrëveshjes së rregullave të suspendimit, do të përfitojnë nga liberalizimi i vizave. Kosova, për fat të keq, po ndahet nga ky grup për shkak se opozita po e kundërshton marrëveshjen për demarkacion, që është kusht për liberalizim. Edhe disa deputet të pozitës, përfshirë një numër të vogël edhe nga LDK-ja kanë përqafuar kauzën e AAK-së dhe po bëhen pengesë e vendimit për liberalizim. Lista Serbe pas votimit të Ligjit për Trepçën u shpreh se nuk do ta votoj demarkacionin. U bënë bashkë këta për të kundërshtuar një element të rëndësishëm të sovranitetit të vendit.

Qytetarët duhet ta dinë qartë se kush janë ata që po kundërshtojnë që Kosova të këtë kufijtë e vet ndërkombëtar me Malin e Zi, që po pengojnë bizneset të shfrytëzojnë hapësirën që ua ka mundësuar MSA-ja, dhe pse po e bëjnë këtë. Pse po e mbajnë peng rininë tonë. Edhe LDK do ta dijë se kush janë deputetët e saj që, në kundërshtim me vendimet e organeve më të larta, po pengojnë e liberalizimin e vizave.

Qeveria e ka bërë punën e saj. Komisioni shtetëror qëndron ligjërisht prapa vijës kufitare të caktuar dhe me përgjegjësi ligjore konfirmon se është kufiri që Kosova e ka pasur edhe kur ka qenë Krahinë. Komisioni ndërkombëtar ka konfirmuar se kufiri është në rregull. Departamenti i Shtetit i SHBA ka vërtetuar po ashtu këtë kufi.

Qytetarët nuk duhet të bëhen viktimë e kauzave të rrejshme politike dhe as e qëndrimeve të papërgjegjshme të disa deputetëve të Kuvendit të Kosovës, përfshirë edhe disa nga partia që unë drejtoj.

Vlerat e shtetit, sovraniteti shtetëror dhe orientimi evropian nuk kanë asgjë të përbashkët me sjelljet folklorike, primitive dhe provinciale. IM” (sic.), ka shkruar Mustafa. /Telegrafi/


1 Koment

  1. Për Isën nuk ke çka me thanë
    Gjithënjë poçavër e shkîjeve është kanë
    Faj kanë „delet“ që në at vend janë duke e lanë
    Se idiotizmat e tij kurr të ndalur nuk do të kanë

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu