Ndeshja Kosovë-Azerbajxhan, dështon shitja e biletave online, qytetarët të nervozuar

Shitja e biletave online për ndeshjen në mes të Përfaqësueses së Kosovës dhe Azerbajxhanit ka hasur në probleme të mëdha ose ndryshe mund të quhet nismë e dështuar.

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) kishte njoftuar për shitjen online të biletave për ndeshjen e fundit të Kosovës në Ligën e Kombeve ndaj Azerbajxhanit.

Shitje online e biletave i ishte besuar kompanisë ‘tiks.app’, e cila kishte njoftuar paraprakisht për hapat që duhet ndjekur për blerjen e biletës.

Sot (e enjte) me fillim nga ora 12:30 faqja për blerjen e biletave online u hap dhe tifozët mund të qaseshin për blerjen e tyre.

Megjithatë, vetëm pak minuta pas hapjes, faqja ra nga sistemi dhe blerja e tyre ishte e pamundur.

Përveç rënies së faqes, qytetarët hasën edhe në probleme të ndryshme, ku pas selektimit të vendeve në tribunë, blerja dështonte gjatë pagesës me kartelë bankare ose në raste tjera nuk lejohen selektimi i ulëses edhe pse ishte e lirë.

Në emailin e redaksisë së Telegrafit kanë ardhur shumë letra nga qytetarë të shumtë, të cilët treguan shqetësimet e tyre për pamundësinë e blerjes së biletave online.

Sipas FFK-së dhe kompanisë së autorizuar, një person kishte të drejtë të aplikojë për blerjen e një deri në tri biletave, por shumica përfunduan pa asnjë dhe me nervozizëm të shkaktuar. /Telegrafi/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu