Në pritje të Francës për vendim final për datën e negociatave të Maqedonisë së Veriut

Vendet anëtare të Bashkimit Evropian ende nuk kanë sjellë vendim final për datën e negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, përfundimet janë në fazën e përgatitjes, ndërsa Franca ende nuk ka thënë pozicionin final,brifuan sot diplomatë të lartë në Bruksel.

Vendet anëtare të BE-së duhet të arrijnë pajtueshmëri për datën e negociatave deri më 15 tetor kur në Luksemburg do të takohen ministrat për Çështje të Jashtme dhe Evropiane, ndërsa data për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë do të jetë një nga temat kryesore në rend dite.

Sipas burimeve të larta diplomatike në Bruksel, atmosfera është pozitive për Maqedoninë e Veriut, shumë më pak për Shqipërinë, veçanërisht pas votimit në Parlamentin gjerman, i cili vendosi kushte për Tiranën. U prononcua edhe ministri holandez i Punëve të Jashtme Stef Bllok, i cili në Parlament theksoi se të dyja vendet duhet të vlerësohen ndaras dhe se progresi në vend është shumë më i madh se sa në Shqipëri.

Të mërkurën, vendet e BE-së takohen në nivel ambasadorësh dhe do të bisedojnë, mes tjerash, për datën e negociatave.

“Shpresojmë se deri të mërkurën do të kemi më shumë informacione nga ambasadori francez në kuptim të qëndrimit të tyre për këtë çështje, e dini se nevojitet që të jenë njëzëri për këtë çështje”, thotë për MEDIAL-n një diplomat nga një vend perëndimor anëtar i BE-së i përfshirë në përgatitjet e Këshillit të ardhshëm për punë të përgjithshme.

Nga ana franceze tani për tani refuzojnë që të kumtojnë çfarëdo lloj detajesh rreth pozicionit të tyre deri te mediumet, përderisa vende të tjera anëtare të BE-së spekulojnë se me vendimin në Gjermani dhe Holandë që të ndahen Tirana dhe Shkupi lehtësohet sjellja e vendimit pozitiv për Maqedoninë e Veriut.

“Hapja e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë është propozimi i Komisionit Evropian dhe kjo është ajo që po tentojmë ta shtyjmë para, por nuk mund të parashohim se çka do të ndodhë. Gjermania kishte votim të qartë i cili është shumë më i favorshëm për Maqedoninë e Veriut, ndërsa i kushtëzuar për Shqipërinë”, thotë ky diplomat.

Diplomatët nuk e përjashtojnë mundësinë që të mos arrihet marrëveshje përfundimtare në nivel diplomatik deri më datën 15 dhe vendimin ta sjellin vetë ministrat gjatë Këshillit atë dit.

Vendimi për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë ishte shtyrë qershorin e kaluar për shkak të votimit në Bundestagun gjerman, që përfundimisht u mbajt javën e kaluar.

Ndarja e të dyja vendeve është variant i cili një kohë të gjatë përmendet në Bruksel dhe në disa vende anëtare. Pala maqedonase bëri të ditur se mbështet fillimin e negociatave për të dyja vendet, por se Shkupi nuk guxon të jetë peng i vendimit eventual negativ për Tiranën.

Vende të caktuara anëtare të Unionit, të cilët kanë rezerva drejtë zgjerimit përderisa nuk reformohet BE-ja, mendojnë për ruajtjen në “pako” të të dyja vendeve që të mundet të shtyhet çështja përsëri, por me vendimet e fundit në Gjermani dhe Holandë bëhet gjithnjë më e pasigurt se shkohet drejtë ndarjes së ty dyja vendeve. Mbetet që të shihet se në cilën formë dhe me cilat përfundime.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu