‘New York Times’: Vuçiqi është i lidhur me krimin dhe kontrollon gjithçka në Serbi

Gazeta amerikane “New York Times” ka shkruar për lidhjet e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq me njerëzit e krimit në Serbi.

Artikulli i gazetës amerikane ka filluar me përshkrimin e konferencës për media që në vitin 2021 kishte mbajtur Vuçiqi e ku kishte shpalosur arrestimin e një bande të krimit në Serbi, e që në fakt doli që kjo bandë kishte lidhje me presidentin serb dhe djalin e tij, Danilo Vuçiq dhe ishte organizuar pikërisht për nevojat dhe me urdhër të presidentit serb.

Bëhet fjalë për kreun e bandës i cili ishte trafikant kokaine i quajtur Veljko Belivuk, tashmë një figurë e njohur në Beograd. Ai ishte akuzuar më parë për vrasje dhe një sërë krimesh të tjera të rënda, por kurrë nuk kaloi shumë kohë në burg.

Pas arrestimit të kreut të bandës, Belivuk përshkroi disa nga punët e pasme që banda pretendonte se kishte bërë për qeverinë, si frikësimi i rivalëve politikë dhe ndalimi i tifozëve që të këndonin kundër Vuçiqit në ndeshjet e futbollit – një shërbim i vlefshëm në një vend ku stadiumi mund të bëjë ose të prishë një president. Belivuk paralajmëroi se nëse Vuçiqi “vazhdon procedurat e tij kundër meje”, ai do të kishte shumë më tepër për të thënë, thuhet tutje në hulumtim.

Këto akuza të kreut të bandës, sipas “New York Times”, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq i ka kundërshtuar me zemërim.

Sipas gazetës prestigjioze rasti Belivuk ka hapur një dritare drejt një të ardhmeje të zymtë të mundshme, në të cilën Vuçiq minon projektin evropian nga brenda, duke ndërtuar një shtet ku demokracia është një fasadë dhe bandat kriminale përdoren për të përhapur frikën. Sipas gazetës e njëjta taktikë ishte përdorur nga njerëzit që e futën Ballkanin në një luftë katastrofike tre dekada më parë.

Kreu i bandës para gjykatës kishte folur për një takim që pretendonte se kishte pasur me Vuçiqin në një shtëpi private në Beograd, duke dhënë adresën e rrugës dhe numrin e banesës dhe emrin e pronarit. Ata janë takuar atje vetëm një herë, ka shtuar ai, “sepse, siç tha shefi, nëse dikush na shihte ose na filmonte, nuk do të ishte mirë për të”.

“Vuçiqi tani ushtron pothuajse kontroll total mbi pothuajse çdo aspekt të jetës publike. Nga Parlamenti, gjykatat, policia dhe biznesi. Në fakt, arrestimi i Belivuk dhe bandës së tij mund të jetë një nga vendimet e pakta kyçe të viteve të fundit që Vuçiç nuk i kontrolloi”, është thënë në hulumtimin e “New York Times”.

Në hulumtimin e gazetës amerikane është thënë se Vuçiqi ishte një mbështetës entuziast i partisë së Sheshelit dhe ai shpejt ishte bërë anëtari më i ri i Parlamentit të Serbisë. Në vitin 1995, disa ditë pas masakrës së gati 8 000 myslimanëve boshnjakë rreth Srebrenicës, Vuçiqi kishte mbajtur një fjalim në të cilin ka deklaruar: “Nëse na bombardoni, nëse vrisni një serb, ne do të vrasim njëqind myslimanë”.

Në dekadat që nga ajo kohë, Vuçiqi nuk ka kërkuar kurrë falje plotësisht për krimet e kryera në emër të Serbisë apo për retorikën e tij. Ai i ka trajtuar si heronj disa kriminelë të dënuar lufte në lirimin e tyre nga burgjet jashtë vendit.

Më tutje, “New York Times” ka portretizuar presidentin Vuçiq si personi që kishte udhëhequr një grup protestuesish në mbështetje të Ratko Mlladiq, komandant ushtarak i quajtur ndonjëherë si “Kasapi i Ballkanit”. Një vit më vonë, kur lideri serb i Bosnjës gjatë kohës së luftës Radovan Karaxhiq është arrestuar, Vuçiq është kthyer në rrugë, duke u dhunuar nga policia.

Hulumtimi i gazetës amerikane ka folur edhe për vlerësimin e “Freedom House” në vitin 2019, i cili e ka ulë Serbinë në vlerësimin vjetor të demokracive nga të lira në pjesërisht të lira, duke përmendur politizimin e gjyqësorit dhe institucioneve të tjera dhe zgjedhjet e mbushura me ngacmime dhe ryshfet.

Megjithatë, aplikimi i Serbisë për t’u anëtarësuar në BE është rrotulluar me qetësi, sikur burokratët në Bruksel nuk e kanë vënë re se Vuçiqi po lëviz në drejtimin e gabuar, është thënë në hulumtim.

Sipas këtij hulumtimi një mjet i rëndësishëm i pushtetit për Vuçiqin janë mediat.

Ai ka përdorur kompaninë shtetërore të telekomunikacionit për të blerë stacione televizive lokale dhe aleatët e tij drejtojnë një treshe organizatash mediatike që ndjekin paturpësisht linjën e Partisë Progresive dhe i japin kohë të bollshme transmetimit vetë Vuçiqit. Këto përfshijnë një rrjet televiziv të quajtur “Pink”.

Në dy vitet që nga arrestimi i bandës Belivuk, Vuçiqi ka thënë vazhdimisht se rasti shënoi një ndarje vendimtare me të kaluarën.

“Ne do të pastrojmë institucionet shtetërore nga të gjithë bashkëpunëtorët e tyre”, ka deklaruar ai në konferencën e parë për shtyp pas arrestimeve.

Më pas ai u ka thënë një grupi gazetarësh: “Kjo është e rëndësishme për ne, por edhe për qytetarët e thjeshtë. Pronarët e restoranteve dhe bareve nuk do të duhet të shqetësohen nëse dikush do të vijë dhe do t’i sulmojë ata dhe më pas kanë frikë ta raportojnë në polici sepse nuk e dinë nëse dikush në polici është i lidhur mirë me këta vrasës”.

Gazeta amerikane ka folur edhe për ndihmën që studiuesi dhe analisti amerikan, Daniel Serwer ka ndihmuar në organizimin e paraqitjes së parë publike të Vuçiqit në Uashington, D.C. Serweri ka punuar në Ballkan në vitet 1990 dhe ai dinte gjithçka për rrënjët nacionaliste të Vuçiqit. Por ai ishte i zhgënjyer me të dhënat e liderëve të tjerë politikë serbë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu