Në një tjetër ndalesë në rajon, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, të enjten qëndroi në Kosovë – për të gjashtën herë në vend.
Vizita e saj erdhi në një ditë të ngarkuar për Kosovën, pasi në Prishtinë u protestua kundër aktgjykimit të shkallës së parë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Dhe pikërisht kjo ishte edhe tema me të cilën Von der Leyen nisi mesazhet e saj nga Prishtina.
Ajo tha se aktgjykimi është dhënë nga një institucion i pavarur gjyqësor dhe se mandati i tij duhet të respektohet, ndërsa theksoi se të dënuarit kanë të drejtë ankese.
Por, në të njëjtën kohë, Von der Leyen bëri një ndarje të qartë mes procesit gjyqësor dhe luftës së Kosovës.
“Rezistenca e Kosovës nuk ka qenë në gjykim”, tha presidentja e Komisionit Evropian, raporton Klankosova.tv
Edhe për nismën për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, shefja e KE-së, tha se vendimi i takon Kosovës.
Megjithatë, ajo theksoi se, pavarësisht ndryshimeve ligjore, duhet të ruhet pavarësia e gjyqësorit.
Nga Specialja, mesazhi i saj kaloi te e ardhmja evropiane e Kosovës.
“Unë besoj në të ardhmen evropiane të Kosovës, dhe atë qartazi, sepse e di sa thellësisht ndihen evropianë populli i Kosovës”, tha ajo, duke shtuar se kjo aspiratë duhet të kthehet në përparim konkret drejt Bashkimit Evropian.
Në fokusin e saj ishte edhe stabiliteti institucional. Von der Leyen tha se Kosova duhet të vazhdojë me reformat dhe të shfrytëzojë mundësinë për të ecur përpara në rrugën drejt BE-së.
Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti tha se gjatë takimit i kishte kërkuar mbështetjen e saj për avancimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian, përfshirë anëtarësimin në Konventën për Transit të Përbashkët, organizatat evropiane të standardizimit dhe kornizën evropiane të akreditimit.
Vizita në Kosovë ishte pjesë e turneut të saj në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Ajo e nisi vizitën në Tiranë, të mërkurën, për të vazhduar të enjten në Kosovë dhe më pas në Mal të Zi. Turneun në rajon e përfundon të premten në Maqedoninë e Veriut./Klankosova.tv










