Nike do ta ndihmojë PSG-në ta mbajë Mbappen

Nënshkrimet e yjeve të futbollit janë kthyer në luftëra ekonomike, jo vetëm mes klubeve. PSG do të ketë një aleat të fuqishëm në përpjekjet për ta mbajtur Mbappé në Paris këtë verë dhe për shumë vite të tjera.

“Nike”, firma e njohur e veshjeve dhe produkteve sportive dhe klubi parisien po finalizojnë një marrëveshje të re, që do të zëvendësojë atë, nga e cila kishin mbetur edhe tri vite.

Në fokus është e ardhmja. PSG do ta rrisë ndjeshëm shumën që merr çdo vit nga sponsori në fjalë (25 milionë €) dhe në këtë mënyrë do të përballet më mirë me kushtëzimet e “fair play financiar”.

Ky kushtëzim po e “përndjek” klubin kampion të Ligue 1, sidomos pas blerjes së Neymar te Barcelona (për 222 milionë euro) dhe rinovimit të tij milioner, që duket në horizont.

Ka shumë interesa të përfshira në këtë “martesë” me firmën e njohur sportive.

Mbappé është një nga ikonat e reja të “Nike”, ndërsa kjo e fundit është e interesuar për sulmuesin, përmes të cilit synon të fusë në tregun evropian një prej markave të saj, “Jordan”.

Kjo markë është prezantuar nga PSG këtë sezon, përmes uniformës së tretë të ekipit. Një linjë e veshjeve dhe aksesorëve urbanë, që përshtatet me imazhin e ndërkombëtarit francez.

Asnjë detaj financiar nuk është zbuluar nga marrëveshja e re PSG-Nike, por rritja e shumës së sponsorizimit do ta ndihmojë klubin francez të jetë në rregull me raportin mes të ardhurave dhe shpenzimeve, raporton telesport.

Një tregues që PSG dëshiron të shmangë problemet me “fair play financiar”, i cili mund të bëhet shkak për të humbur një nga yjet e vet.

Ndoshta Kylian Mbappé, të cilin në Francë e shohin të transferueshëm në “Santiago Bernabeu”, në vitin 2020. Duket se PSG dhe “Nike” kanë krijuar tashmë një aleancë të përbashkët, në përpjekje për të shmangur atë mundësi hipotetike. Sinjal i qartë ky, për Real Madridin dhe Zinedine Zidane.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu