Nis qeverisja shqiptare në Veriun e Mitrovicës, tërbim serb

Kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiç, bëri betimin këtë të premte para Kuvendit Komunal, duke emëruar zëvëndëse të tij Katarina Axhançiç nga radhët e komunitetit serb.

“Ne me gjithë ekipin, do të punojmë për të gjithë qytetarët pa dallim dhe pa diskriminim. Angazhimin më të madh do ta bëjmë për ta normalizuar këtë pjesë të komunës. U bëj ftesë të gjithë qytetarëve që të na takojnë, të na vizitojnë dhe të bashkëpunojmë sa më mirë për të mirën e qytetarëve”, tha ka deklaruar Atiç në një deklaratë për media pas betimit.

Ndërsa nënkryetarja Axhançiç tha se mendon që është koha për të folur për prioritetet e qytetarëve në veri.

“Qytetarët tanë meritojnë ta bëjnë jetën e tyre më të lehtë dhe më të mirë. Vendosëm që të kemi një ekip të mirë, bashkëpunim të mirë me qytetarët dhe së bashku do të bëjmë gjithçka që mund të bëhet”, është shprehur Axhançiç.

Ajo ka shtuar se nuk ka pasur takime me përfaqësuesit e komunitetit serb në veri, por ka paralajmëruar se do ta bëjë një gjë të tillë.

Në këtë zhvillim të ri politik, në ndërtesën e Komunës së Mitrovicës së Veriut është vendosur flamuri i Republikës së Kosovës.

Reagimi i Listës Serbe

Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiç tha se me dhënien e betimit “filloi zyrtarisht pushtimi i veriut e do të përfundojë kur të vendosin serbët”.

Madje ai ka dhënë afat kryeministrit Kurti, siç theksoi për të “ndaluar represionin, shpronësimin, arrestimin, persekutimin dhe sulmet ndaj serbëve” deri më 1 qershor.

Dhe “nëse vazhdon, përgjigjja e popullit serb do të pasojë më 1 qershor, ata do ta mbrojnë veten me të gjitha mjetet”, tha Simiç duke mos thënë se cilat janë këto mjete.

Ndërsa Petar Petkoviç, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, pos që e ka quajtur “pushtim” ardhjen në detyrë të kryetarit të ri të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiç, shtoi se me veprimet e tyre, “Kurti dhe Prishtina duan të dëbojnë popullin serb nga Kosova dhe të provokojnë luftë”.

“Simboli i atij pushtimi dhe ajo leckë (flamuri i Kosovës) që e kanë ekspozuar në ndërtesën komunale të Mitrovicës… nuk do të jetë kurrë flamur për ne. Do të qëndrojë atje për aq kohë sa vetë pushtimi, dhe kjo do të thotë jo për shumë kohë”, kërcënoi Petkoviç.

Më vonë pritet ta bëjnë betimin edhe tre kryetarët e tjerë të rinj të komunave në veri, gjithashtu shqiptarë. /tesheshi.com/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu