Nuk fitoi edhe me 2.5 milionë vota plus, Erdogan kërkon fitore në raundin e dytë

Një mesazh i ri për turqit në prag të raundit të dytë të zgjedhjeve në Turqi u dërgua nga Rexhep Tajip Erdogan, i cili mblodhi 2.5 milionë vota më shumë se kundërshtari i tij Kemal Kilicdaroglu më 14 maj.

Në mesazhin e tij Rexhep Tajip Erdogan thotë se 28 maji “do të jetë fillimi i shekullit të Turqisë”.

“Faleminderit secilit prej jush për ndihmën, përpjekjet dhe sakrificat tuaja. E falënderoj Zotin që më ka dhënë shokë të tillë. Tani është koha për të vulosur fitoren e 14 majit me një triumf edhe më të madh. 28 maji do të jetë fillimi i shekullit të Turqisë”, ka thënë ai.

Edhe pse dukej se kishte pësuar dëme të pariparueshme politike dhe ishte nisur drejt një disfate të rëndë, pas njëzet vjetësh në pushtet, Erdogani doli nga zgjedhjet e së dielës më i fortë.

Recep Tayyip Erdogan mori 49.62% të votave, krahasuar me 44.89% të kundërshtarit të tij Kemal Kilicdaroglu. Kështu, Komisioni Kombëtar Zgjedhor i Turqisë konfirmoi dje pasdite se presidenca do të vendoset në raundin e dytë më 28 maj.

Mënyra se si do të zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve në Turqi do të varet kryesisht nga kandidati i vendit të tretë, nacionalisti i ekstremit të djathtë, Sinan Ogan, i cili siguroi 5.2% të votave në raundin e parë dhe është ende i pavendosur se kë do të mbështesë në raundin e dytë.

Ndikimi i krizës ekonomike që po përjeton Turqia dhe tërmeti shkatërrues i 6 shkurtit, i cili la pas të paktën 50.000 të vdekur mendohej se do ishte goditëse për Erdoganin. Përgjigjja e qeverisë, e përshkruar si e vonuar dhe e papërshtatshme, zemëroi shumë persona që u prekën nga tërmeti, mirëpo ky zemërim nuk u shfaq në votime. Votuesit në provincat më të goditura treguan përsëri besimin e tyre tek Erdogani, i cili premtoi të ndërtojë 650.000 banesa në zonat e prekura sa më shpejt të jetë e mundur.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu