“Ose të arrestohet edhe Haradinaj, ose të lirohet edhe Kurti”

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe Donika Kadaj Bujupi janë arrestuar sonte nga policia e Kosovës.

Kjo, pasi sipas gjyqtari Beqari Kalludra, ata kanë shkelur masën e sigurisë së caktuar nga gjykata, kur ata u liruan nga paraburgimi për në arrest shtëpiak para tre ditëve.

Lidhur me këtë arrestim, analisti politik Faton Mehmeti në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se pavarësisht se ata nuk iu përmbajtën arrestit shtëpiak, Kurti dhe Kadaj Bujupi nuk është dashur të arrestohen pasi po bëhet drejtësi selektive.

“Drejtësia tek ne zhvillohet në bazë të interesave të partive në pushtet, të pushtetit. Të arrestosh dikë dhe dikë jo dhe të cilët e kanë kryer të njëjtën vepër, është selektim. Prandaj kjo prodhon pakënaqësi dhe si e tillë sfidohet. Përkundër që Albini dhe Donika nuk iu përmbajtën arrestit shtëpiak, besoj se gjykata nuk është dashur t’i arrestojë, aq më tepër në ditë festive. Kjo dëshmon se gjykata është inatçore, që udhëhiqet nga veprime të dirigjuara nga politika dhe si e tillë nuk prodhon drejtësi”, është shprehur ai.

Sipas Mehmetit, derisa Albin Kurti dhe Ramush Haradinaj ishin bashkë në të njëjtën kauzë, i bie që Kurti është tradhtuar nga Haradinaj dhe se duhet ose të arrestohet edhe Haradinaj, ose të lirohet edhe Kurti.

“Fakti se Ramushi bashkë me Albinin e ka bërë të njëjtën vepër, kjo i bie që Albini është tradhtuar nga Ramushi. Derisa njëri përfitoi pushtet, tjetri burg dhe ky antagnozme ngërthen në vete fabulën e njohur se i drejti vuan më shumë. S’dua ta mbroj apo sulmoj dikë, por them se ky realitet i prodhuar nga kjo politikë e keqe po sjell dëme të mëdha vendit. Ose duhet të arrestohet edhe Ramushi ose të lirohet Albini, ndryshe ky proces do marrë edhe më tepër karakter politik”, ka deklaruar Faton Mehmeti për “Bota sot”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu