Osmani përplaset ashpër me deputetin serb, Simiq: Nuk kam kërkuar votën tuaj për tu bërë kryetare e Kuvendit

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, nuk kanë munguar përplasjet mes deputetëve por edhe në mes të kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani dhe deputetëve të Listës Serbe.

Osmani dhe deputeti Igor Simiq janë përplasur ashpër lidhur me zgjedhjen e Osmanit në krye të Kuvendit. Simiq akuzoi Osmanin se ka ndjekur deputetët serbë, korridoreve të Kuvendit për t’i siguruar votat.

E kjo deklaratë e tij nxiti reagimin e kryeparlamentares e cila tha se kjo është një gënjeshtër.

“Dua t’ju përkujtoj zonja kryetare se kur sulmoni në këtë mënyrë deputetët dhe ministrat e Listës Serbe, se në pozitën në të cilën jeni tash keni ardhur duke iu falënderuar veçmas votave të Listës Serbe. Po ua përkujtoj se në korridoret e kësaj ndërtese keni vrapuar që të siguroni dhjetë vota për zgjedhjen tuaj dhe atëherë nuk ishte në pyetje as politika e Listës Serbe dhe as veprimet e saj. Përnjëherë kjo ndryshoi dhe këtë ju mund ta shpjegoni”, tha Simiq.

Ai ka mohuar pohimet se zëvendëskryeministri Goran Rakiq ka vepruar në kundërshtim me ligjet e Kosovës për shpalljen e gjendjes së karantinës në veri, duke vepruar kështu në pajtim me urdhrat e Serbisë dhe presidentit të saj Aleksandar Vuçiq.

Simiq është shprehur kundër projekt-rezolutës së propozuar nga kryetarja Osmani, duke thënë se ajo është e papranueshme dhe shkelet e drejta e deputetëve të Listës Serbe për të vepruar në pajtim me interesat për qytetarët serb.

Pas kësaj reagoi kryetarja e Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani e cila i quajti gënjeshtra pohimet e Simiq se ajo ka kërkuar votën e Listës Serbe për t’u zgjidhur kryetare e Kuvendit.

“Unë kurrë në jetën time nuk e kam ndjekur askënd korridoreve për asnjë votë. Kjo është një gënjeshtër e madhe nga ana e juaj… Nëse kur më keni votuar, keni menduar se unë do të përkrah këdo që i bashkohet presidentit Vuçiq në beteja diplomatike e politike, e keni pasur gabim… Të gjithë e dinë se s’keni votuar për mua si person, por për themelimin e institucioneve”, tha Osmani.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu