Osmani vazhdon me agjendën e vizitave në Maqedoni të Veriut

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot vijon me agjendën e vizitës në ditën e dytë të qëndrimit në Maqedoninë e Veriut.

Pas takimeve zyrtare me homologun nikoqir Stevo Pendarovski, krerët shtetëror, fjalimin në Kuvend dhe takimin me krerët politik, presidentja Osmani pasdite kishte një drekë pune të përbashkët me gra lidere të fushave të ndryshme, njofton Presidenca e Kosovës.

Gjatë ditës së dytë, presidentja Osmani do të marrë pjesë në përurimin e një rruge me emrin e presidentit historik, Ibrahim Rugova në komunën e Çairit. Ndërkaq në selinë e Ambasadës së Kosovës, presidentja Osmani siç thuhet në njoftim, do ta dekorojë post-mortem me Urdhrin “Hasan Prishtina”, liderin ikonik të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, Arbën Xhaferi, i cili shquhet edhe për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të shqiptarëve kudo.

Presidentja Osmani po ashtu do ta dhurojë po ashtu një kontingjent librash për bibliotekën në gjuhën shqipe në Manastir.

Më pas, presidentja Osmani do të vendosë lule te shtatorja e heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti- Skënderbeu, te busti i Hasan Prishtinës dhe pllakës së Nënë Terezës, si dhe do ta vizitojë Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve (ITSHKSHM).

Pas Shkupit vijon vizita në Tetovë, ku do ta takojë kryetarin e komunës, Bilall Kasamin, disa kryetarë komunash të drejtuara nga shqiptarët dhe intelektualë të kësaj komune, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Vizitën në këtë komunë, presidentja Osmani do ta përmbyllë në Universitetin Shtetëror të Tetovës, ku para studentëve dhe stafit akademik do të flasë për sfidat rajonale politike dhe ato të sigurisë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu