Eksperti amerikan i politikës së jashtme, David L. Phillips, deklaroi sot se qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj idesë për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës e Serbisë është “i paqartë”.
Phillips, drejtori i Programit për Paqe dhe të Drejtat në Institutin për të Drejtat e Njeriut në Universitetin e Kolumbisë, njëherësh autor i tekstit “Negociatat sekrete do të tradhtojnë Kosovën”, tha se disa individë në Këshillin e Sigurimit Kombëtar të SHBA mbështesin ndarjen e Kosovës, derisa të tjerët, duke përfshirë anëtarët e Kongresit, kundërshtojnë korrigjimin e kufirit.
Phillips argumentoi se ideja e shkëmbimit të territorit është e keqe, ndër të tjera, pasi nuk nënkupton anëtarësimin automatik të Kosovës në OKB dhe thotë se një plan i tillë nuk do të merrte mbështetjen e Parlamentit të Serbisë.
Ai shprehur bindjen se Serbia do të detyrohet ta njohë shtetin e Kosovës në kufijtë ekzistues.
“Serbisë thjesht i duhet ta njohë Kosovën brenda kufijve ekzistues. Taksat do të hiqen dhe rruga e Serbisë drejt anëtarësimit në BE do të përshpejtohet, pasi ajo do të përmbushë kriteret në Kapitullin 35”, tha Philips për portalin Demostat.










