“Politika” serbe e sulmon Zeqirija Ibrahimin

Propozimi i Sekretarit të Përgjithshëm të Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, për formimin e Asociacionit të Komunave Shqiptare në Maqedoninë e Veriut, ka dridhur jo vetëm Shkupin, por edhe Beogradin. Gazeta serbe “Politika”, e afërt me regjimin e Vuçiqit, ka sulmuar në një shkrim të sotëm Zeqirija Ibrahimin për këtë nismë. Sipas tyre, qëllimi i nismës është që të ndihmohet Kosova dhe kryeministri i saj Albin Kurti, duke dëshmuar se presioni për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë mund të ketë efektin domino në rajon, shkruan InfoShqip.

“Kjo dalje politike e Alternativës me propozimin për formimin Asociacionit të Komunave Shqiptare mund të shihet si një përpjekje për të penguar formimin e Asociacionit të Komunave Serbe dhe si mbështetje për kryeministrin e Prishtinës, Albin Kurtin”, shkruan mes të tjerash gazeta serbe.

Gazeta serbe gjithashtu spekulon se qëllimi final i Alternativës, përveç që të ndihmojë pozicionin e Kosovës në bisedime, mund të jetë bashkimi i të gjithë shqiptarëve në një shtet, agjendë për të cilën mediat serbe e akuzojnë edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Idenë e Sekretarit të Përgjithshëm të Alternativës për formimin e Asociacionit të Komunave Shqiptare në Maqedoninë e Veriut e ka përkrahur edhe nënkryetari i BDI-së, Izet Mexhiti. Kjo ide u refuzua menjëherë nga krerët e partive maqedonase, Dimitar Kovaçevski dhe Hristijan Mickoski.

Nga ana tjetër, Aleanca për Shqiptarët edhe pse ishte pro kësaj ideje në vitin 2017, tani me hyrjen në qeveri e kundërshton atë, duke u rreshtuar në një vijë me qëndrimin e Kovaçevskit./InfoShqip.com/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu