Prof. Dr. Adnan Ismaili nga Universiteti i Tetovës e forcon bashkëpunimin me institucionet arsimore të Arabisë Saudite

Duke qëndruar në një vizitë disaditore në Arabinë Saudite, drejtuesi i degës së Filologjisë Orientale në Universitetin e Tetovës, Prof. Dr. Adnan Ismaili, e realizoi një takim të rëndësishëm me udhëheqësin e Fondacionit për Shkencë, Arsim dhe Kulturë të Arabisë Saudite, me seli në Rijad, Shkëlqesinë e Tij Welid al-Tuvejxhiri.

Me këtë rast, prof. Ismaili e informoi Shkëlqesinë e Tij, Al-Tuvejxhiri, për punën e deritanishme të programit studimor Filologjia Orientale, duke vlerësuar se për herë të parë në Maqedoni studimi i gjuhës dhe letërsisë arabe ka marrë përmasa serioze shkencore dhe kjo po reflektohet me kuadro që tashmë kanë arritur edhe tituj shkencorë në këtë fushë.

Përveç kësaj, në takim u nënshkrua edhe një marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Fondacionit për Shkencë, Arsim dhe Kulturë të Arabisë Saudite, që është një organ koordinues i arsimit, shkencës dhe kulturës në atë shtet, dhe programit studimor Filologjia Orientale të Universitetit të Tetovës, duke vënë theksin në shkëmbimin e përvojave, kuadrove akademike dhe studentëve, si dhe në mundësinë e ofrimit të literaturës së nevojshme për studimet e kësaj fushe.

Drejtuesi i Fondacionit të Arabisë Saudite, Shkëlqesia e Tij Welid al-Tuvejxhiri – nga ana tjetër – shprehu kënaqësinë e tij për këto rezultate në Universitetin e Tetovës dhe shfaqi gatishmëri që Fondacioni për Shkencë, Arsim dhe Kulturë i Arabisë Saudite të ofrojë ndihmë Universitetit të Tetovës. Për këtë arsye, ai shprehu gatishmëri që së shpejti ta vizitojë Universitetin e Tetovës, për ta jetësuar edhe praktikisht këtë bashkëpunim, për çka prof. Ismaili shprehu falënderim të veçantë dhe i dëshiroi atij mirëseardhje në Maqedoni.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu