Presidenti rus Vladimir Putin ka shprehur publikisht mbështetjen për Aleksandar Vuçiçin, duke thënë se shpreson që ish-presidenti serb të bëhet kryeministër i Serbisë.
Deklarata e Putinit vjen para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 25 tetorit në Serbi dhe në një kohë kur Beogradi vazhdon të refuzojë vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.
Duke folur në seancën plenare të Klubit Ndërkombëtar të Diskutimit “Valdai”, Putin e vlerësoi politikën që Vuçiç ka ndjekur ndaj Moskës dhe gatishmërinë e tij për vazhdimin e bashkëpunimit me Rusinë.
“Udhëheqja aktuale e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili deri vonë ishte president dhe, shpresoj, në të ardhmen do të jetë kryeministër, po ndjek një politikë të përmbajtur dhe po tregon dëshirë për bashkëpunim me Rusinë. Ne këtë sigurisht e mirëpresim dhe do të përgjigjemi në të njëjtën mënyrë”, tha Putin.
Presidenti rus veçoi si një prej pikave kryesore të këtij raporti vendimin e Beogradit për të mos iu bashkuar sanksioneve kundër Moskës.
“E mirëpresim qëndrimin shumë të përmbajtur të Serbisë për një sërë çështjesh kyçe dhe shumë të ndjeshme, si dhe refuzimin e saj për vendime që nënkuptojnë sanksione kundër Rusisë”, deklaroi ai.
Vuçiç dhe Putin kanë ruajtur kontakte politike edhe gjatë luftës së Rusisë në Ukrainë. Ata u takuan në Moskë në maj të vitit 2025, kur Putin kishte lavdëruar atë që e quajti “kurs të pavarur dhe sovran” të Serbisë në politikën ndërkombëtare.
Marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Moskës shtrihen edhe në sektorin energjetik, me Serbinë që vazhdon të mbështetet në furnizimet ruse me gaz. Vuçiç dhe Putin kanë zhvilluar gjithashtu bisedime për marrëveshjet e furnizimit me gaz.
Qëndrimi i Beogradit ndaj Moskës ka qenë vazhdimisht pikë dallimi me Bashkimin Evropian. Brukseli i ka kërkuar Serbisë, si vend kandidat për anëtarësim, që ta harmonizojë politikën e jashtme me atë të BE-së, përfshirë masat ndaj Rusisë.
Putin gjatë fjalimit foli edhe për serbët në rajon, duke akuzuar atë që ai e quajti “Perëndimi kolektiv” për trajtim të padrejtë ndaj tyre.
Ai pretendoi se serbët janë “ndarë me forcë” në disa shtete dhe entitete.
“Serbët janë bërë një popull i ndarë në Evropë, dhe i ndarë me forcë. Kjo është e padrejtë”, tha Putin.
Presidenti rus përmendi edhe takimin e tij me liderin serb të Bosnjë-Hercegovinës, Milorad Dodik, dhe Marrëveshjen e Dejtonit, duke pretenduar se serbëve u imponohen zgjidhje nga jashtë.
“Çdo padrejtësi çon në komplikime dhe konflikte”, deklaroi Putin.










