Radoiçiq blen prona të reja në pjesën elitare të Beogradit

Ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, ka blerë pasuri të re të paluajtshme në një lokacion prestigjioz në Beograd, shkruan Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN).

Prokuroria e Lartë Publike në kryeqytetin serb e akuzon Radoiçiqin për disa vepra penale në lidhje me sulmin kundër Policisë së Kosovës në fshatit Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023, ku u vra një rreshter policor dhe tre sulmues serbë.

Radoiçiqi e mori publikisht përgjegjësinë për atë sulm dhe pranoi se ai ishte organizatori dhe udhëheqësi i grupit të armatosur.

Nikolla Petroviq, kumbara i presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, si dhe bashkëshortja e kumbarës së Radoiçiqit dhe partneri i tij në biznes, Zvonko Veselinoviq, blenë patundshmëri në lagjen e tij Dedinje, e cila është një nga lagjet më të shtrenjta të Beogradit.

Sipas BIRN, transmeton REL, emëruesi i përbashkët për të gjitha këto prona është Davor Macura, pronari i “Alta Bank”, i cili përmendet në media si një biznesmen i afërt me regjimin e Partisë Progresive Serbe.

Pronat në pronësi të Millan Radoiçiqit, sipas këtij portali hulumtues, ndodhen ndërmjet bulevardit “Princi Aleksandar Karagjorgjeviq” në njërën anë dhe rrugës “Uzhiçka” në anën tjetër.

Parcelat, të cilat ndodhen pranë njëra-tjetrës, kanë një sipërfaqe totale prej më shumë se 12.000 metra katrorë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu