Rama krah Hotit: Koha për doganë kosovare në Durrës, ja tre fjalët kyçe për Kosovën

Kryeministri Rama shpalosi idenë e një dogane të Kosovës në Portin e Durrësit, e kjo pas një takimi me homologun Abdullah Hoti, vizita e parë e këtij të fundit si kryemmistër i ri.

“Sot kemi folur për doganën e Kosovës në Durrës. Në parim është dakordësuar, por në zbatim ende nuk është e plotë, pasi ajo që Hoti ka ngritur në bisedë përbën thelbin e marrëveshjes, jo një stacion i parë, i pasuar nga një i dytë kontrolli në Morinë, por një i vetëm në Durrës, ku hyrja e mallrave për në Kosovë nga pikëpamja juridike duhet të trajtohet si hyrje në Kosovë kur mallrat zbarkohen në Durrës.

Në duhet një detajim deri në fund i marrëveshjes për të mos lejuar që burokracia apo interesa të caktuara të mos e lejojnë. Po ashtu njësimin e dokumentacionit lidhur me mallrat që eksportohen apo importohen mes dy vendeve, e pamundur nëse nuk arijnë dy palët në nivelin teknik të kenë gjuhë të njësuar teknike”, theksoi Rama.

Kjo e ndihmoi atë që sërish të promovon idenë e Shengenit rajonal, shumë e kontestuar në Prishtinë.

“Në kushtet e nevojës për të përparuar në procesin e kohezionit strategjik në lidhje me lëvizjen e përditshme të njerëzve dhe mallrave shengeni rajonal mbetet një program ku shqiptarët këtej dhe andej kufirit duhet të shohin interesin e tyre strategjik. Në rast se ne futemi në kornizën e Shengenit rajonal askush nuk na pengon të hapim kufirin pa asnjë kontroll. Çka thashë për doganën do të vlejë për njerëzit”, theksoi shefi i qeverisë shqiptare.

Rama vijoi duke thënë se “janë tre fjalë kyçe sot për ardhmërinë e Kosovës dhe ardhmërinë e ambicies strategjike të shqiptarëve në rajon: drejtësi ndërkombëtare e drejtë, stabilitet institucional i padiskutueshëm dhe dialog për paqe me njohje përfundimtare”.

“Unë besoj se në rast se arrihet që në këtë moment të vështirë për një mijë e një arsye dhe jo vetëm thjesht për arsyen madhore të ditëve të fundit, që ne të jemi të përqëndruar dhe faktorët e aktorët politikë shqiptarë në Kosovë, Shqipëri e ku janë të ndajnë atë çka është arsye për të qenë të ndarë në temat e mirëqeverisjes së brendshme me atë që është arsye për të qenë të bashkuar si shqiptarë në temën e mbrojtjes së dinjitetit dhe të së ardhmes së Kosovës ndërkombëtarisht, këto tre fjalë kyce mund të na japin mundësinë që të jemi të gjithë krenarë për kapërcimin me sukses të një faze të vështirë“, theksoi Rama.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu