Rama: Turqia ka investuar më shumë në Serbi sesa në Shqipëri e Kosovë bashkë, ekonomia mbetet larg potencialit

Rama ka dhënë një mesazh të drejtpërdrejtë për Turqinë dhe presidentin Recep Tayyip Erdogan, duke thënë se marrëdhëniet politike mes dy vendeve janë të forta, por prania ekonomike turke në Shqipëri dhe rajon mbetet larg potencialit që mund të ketë.

Në një intervistë për Türkiye Today, kryeministri shqiptar tha se “produkti më i madh” që Turqia ka eksportuar në Ballkan është vetë Erdogan dhe popullariteti i tij, por sipas tij kjo nuk mjafton për të ndërtuar një partneritet të fortë ekonomik. Rama theksoi se nevojiten më shumë investime dhe projekte konkrete.

Ai përdori edhe një krahasim të fortë për të ilustruar nivelin e tregtisë mes dy vendeve, duke thënë se vlera e Galatasaray dhe Fenerbahçe së bashku mund të jetë më e madhe se volumi i tregtisë Shqipëri–Turqi.

Rama u ndal gjithashtu te shpërndarja e investimeve turke në rajon. Sipas tij, Turqia ka investuar më shumë në Serbi sesa në Shqipëri dhe Kosovë të marra së bashku, duke e përdorur këtë argument për të kundërshtuar akuzat se Ankaraja po ndjek një politikë “neo-otomane” në Ballkan.

Pavarësisht kritikave, Rama vlerësoi marrëdhënien e tij personale me Erdogan, duke e përshkruar presidentin turk si një njeri të drejtpërdrejtë dhe duke theksuar se raportet politike mes Tiranës dhe Ankarasë mbeten të forta.

Mesazhi i tij, megjithatë, ishte i qartë: marrëdhëniet e mira politike duhet të shoqërohen edhe me më shumë investime reale dhe projekte të mëdha ekonomike në Shqipëri dhe në rajon./Revista Ora


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu