Rama: U sqarova me Presidentin e Maqedonisë së Veriut, fola dhe me Zaevin

Edi Rama zhvilloi takimin e radhës elektoral në Pustec, aty ku iu rikthye deklaratës së Presidentit të Maqedonisë së Veriut, i cili tha se kishtë bërë kërkesë që vendi i tij të ndahej nga Shqipëria në procesin e hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian.

“Shqipëria është në një përpjekje për t’i shpëtuar një kurthi të ngritur nga brenda nga njerëz që nuk duan hapjen e negociatave. Unë dje bëra një prononcim për një tjetër mik të mirë, që është Presidenti i Maqedonisë së Veriut, lidhur me një deklaratë të bërë prej tij, që e lexova në mënyrë të nënkuptuar, se problemet në Shqipëri nuk duhet të jenë pengesë për Maqedoninë. Presidenti më shkroi dhe u sqaruam, por e vërteta është se ka një dallim të rëndë, për të ardhur keq për ne. Presidenti i Maqedonisë së Veriut është pjesë e përpjekjes së popullit të tij për të bindur vendet anëtare se duhen çelur negociatat; Presidenti i Shqipërisë është pjesë e përpjekjes për të krijuar një dyshim që të kthehet në bindje te disa nga vendet se Shqipëria nuk meriton çeljen e negociatave”, theksoi Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare deklaroi se ka komunikuar edhe me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev: “Dje pata një komunikim me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut dhe kur i thashë që do të isha në Pustec, më kërkoi që t’ju lexoja një mesazh që më dërgoi në telefon. Ky është mesazhi: Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë dy partner të ngushtë. Ne punojmë së bashku për të mirën e qytetarëve tanë. Shumë shpejt do të jemi aleatë në NATO dhe e ardhmja jonë e përbashkët është në Bashkimin Evropian. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë vendet e njerëzve shumë të afërt me njëri-tjetrin. Jetojmë së bashku krah për krah, respektojmë njëri-tjetrin dhe dallimet tona dhe rrisim mirëqenien sepse qëndrojmë krah për krah, në të mirë dhe në të keq”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu