Raundi i dytë i zgjedhjeve në Turqi, analiza e La Repubblicca: Kush do të shpallet fitues

Sipas një analize të gazetës italiane La Repubblica, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka shanset më të mira për të fituar raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale që do të mbahen në vendin e tij pas dy javësh.

Siç shkruan gazeta, pushteti i presidentit në largim bazohet në faktin se ai ka nën kontroll median, aparatin shtetëror dhe se mbështetet edhe në një bazë fetare plotësisht besnike ndaj tij.

Në të njëjtën kohë, La Repubblica nënvizon se “Ankara në masë të madhe votoi për opozitën – siç ka ndodhur shpesh në të kaluarën – por sot në kryeqytet ka lodhje dhe zhgënjim” sepse “në horizont janë dy javë tensione të reja që askush nuk dëshiron dhe rruga për opozitën është përpjetë”.

Gazeta e Romës vlerëson gjithashtu se “Sinan Ogan, i afërt me pozicionet ultranacionaliste të Ujqërve Gri, mund të jetë vendimtar për rezultatin e raundit të dytë”. Megjithatë, ai nuk mungon të kujtojë se ”Kemal Kilicdaroglu arriti të bashkojë të gjithë opozitën në një front të vetëm demokratik, duke mbledhur një përqindje që asnjë kundërshtar i Erdoganit nuk e kishte arritur, pavarësisht nga kontrolli total i masmedias nga qeveria”.

Konkluzioni i deritanishëm i La Repubblica është se “në Turqi, qytetarët duket se kanë votuar kryesisht në bazë të identitetit të tyre ideologjik”, ndërsa shkrimtari Mustafa Aykol shton se “asnjë vështirësi ekonomike, asnjë tërmet, në fund të fundit i largon votuesit nga “liderët e mëdhenjtë” me të cilin identifikohen.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu