Reali pranë firmës me Icard-in për 80 mln euro

Real Madrid ka shënjestruar prej kohësh sulmuesin e Inter, Mauro Icardi. Sikurse raportohet nga Italia, Los Blancos kanë komunikuar kohët e fundit me përfaqësuesen e 26-vjeçarit, Wanda Nara, njëherësh bashkëshorte dhe menaxhere e tij, për të mësuar mbi situatën e sulmuesit.

Referuar raportimeve të “AS”, klubi madrilen e di tashmë çmimin që duhet të paguajë për sulmuesin argjentinas të Inter, 80 milionë euro, ndonëse klauzola në kontratën e Icardit është fiksuar në shumën e 110 milionë euro.

Vendimi i Inter për t’i hequr shiritin e kapitenit, kriza në marrëdhënien mes futbollistit, skuadrës, drejtuesve dhe tifozëve, e shoqëruar me mungesën e tij për tetë ndeshje në të gjitha kompeticionet, janë një mori elementesh në favorin e Real Madrid, nëse Los Blancos vendosin të blejnë 26-vjeçarin.

Nëse për Icardin nuk do të çelet një ankand me interesimin e Napolit dhe Juventus, atëherë zikaltërit mund të pranojnë ofertën e Real Madrid, prej 80 milionë euro, në këmbim të kartonit të argjentinasit, i cili mungesën e gjatë në fushë e ka justifikuar me një dëmtim në gju, që në kampin interist nuk e mbështesin dhe aq. /albeu.com/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu