Reterimet e Katica Janevës: Nuk është e qartë nga po dalin ‘bombat’ e ‘El-Cheka’

Ende mbetet e paqartë se nga po dalin përgjimet që po i publikon “El Cheka”. Deklaratat e prokurores Speciale Katica Janeva çorodisin edhe më shumë kur thotë se përgjimet që po i nxjerr “El Cheka” nuk janë të PPS-së.

“Thamë se nuk janë pjesë e bisedave tona. Ato biseda që jepen nuk janë pjesë e bisedave tona.

Ju nuk keni biseda me përmbajtje të tillë?

“Jo, nuk kemi të tilla. Ato janë më shumë private”, u shpreh Kryeprokurorja Speciale Katica Janeva.

30 sekonda pasi e tha këtë, Janeva deklaroi se “Cheka” bombat mund t’i ketë marrë nga Jutjubi.

“Po ato janë të publikuara, mund t’I ketë marrë nga Jutjubi. Çfarë të them unë, hajt ju përshëndes”, theksoi Katica Janeva Prokurore në Prokurorin Speciale.

Por ka një detaj që e hedh poshtë këtë teori të Janevas për Jutjubin.

Nëse merret si shembull përgjimi mes Mijallkovit dhe Jankullovskës për rastin “Sopoti”, i njëjti në Jutjube zgjat 8 minuta e 50 sekonda, ndërkaq përgjimi i njëjtë i publikuar nga “El Cheka” zgjat 10 minuta e 39 sekonda, pra biseda vazhdon edhe më tej.

Kjo vërteton se “El Cheka” posedon materialet e plota origjinale. Ndërsa kujtojmë se një javë më parë Katica Janeva nuk mund të garantonte se ‘bombat” nuk kanë dalë nga Specialja.

“Jo, jo nuk mund të garantojmë asgjë në këtë moment, sepse kjo po hetohet”, deklaroi Prokurorja Speciale, Katica Janeva.

Dje u publikua edhe një përgjim që lidhet me rastin ”Monstra”. Provuam me disa fjalë kyçe për ta gjetur përgjimin në Jutjube, por nuk arrihet të gjendet asgjë. Ndërkaq tek ai i publikuar nga “El Cheka” dëgjohet e ëma e Nikolla Gruevskit. “El Cheka” shkruan se ajo po flet me Orce Kamçevin, por ka shumë gjasa që të mos jetë ai por vëllai i Sasho Mijallkovit, Vllatko, i cili gruan e thërret “teto”. Ajo në telefon i thotë bashkëbieduesit se ka folur me Jankullovskën dhe se nuk ka asnjëlloj gjurme për “Monstrën” dhe se duket si një vrasje e bërë nga profesionistë. Madje shton se ka një ide që ia ka dërguar Sashos por që nuk ia tregon përmes telefonit.

Nga ajo që dihet është se si për rastin “Sopoti” poashtu edhe për “Monstrën” Specialja posedon përgjime, dhe duhet theksuar se këto nuk janë biseda private, siç thotë Janeva por bëhet fjalë për procese gjyqësore.

Në tetor të 2017-së PPS-ja i dorëzoi përgjimet për “Sopotin” në gjykatë si dëshmi për procedurën gjyqësore. Ndërsa se posedon regjistrime për “Monstrën” e vërteton faki se në dhjetor të vitit 2015 kur Kryeministri Zaev i pat dorëzuar përgjimet tek Specialja dhe pat deklaruar se mes tjerash ka edhe transkriptet që lidhen me rastin “Monstra”.

Megjithatë ditë më parë nga Prokuroria Speciale dolën me deklaratë publike se audio-përgjimet nuk dalin nga ana e tyre madje duke shtuar se të gjitha materialet që i ka PPS-ja ruhen sipas procedurave të rrepta të sigurisë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu