Mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Demokratike për rezultatin humbës të Dibrës po fokusohet te fakti se çfarë duhet të bëjë opozita për të përballur atë që e quan ngritje në sistem të blerjes së votës nga qeveria e kryeministrit Rama.
Sipas kryetarit Basha, në këto zgjedhje, Partia Demokratike bëri gjithçka mund të bëjë një parti politike. Por, sipas zotit Basha, këto zgjedhje me përdorimin kriminal të strukturave policore dhe qeveritare, me blerje të përllogaritur, ishin testi se çfarë po përgatit Edi Rama për zgjedhjet e ardhshme.
Por dy deputetë demokratë nuk kanë ndarë të njëjtin opinion me kryetarin Basha. Eduard Selami dhe Majlinda Bregu nuk besojnë se blerja e votave ishte shkaku kryesor i humbjes. Sipas tyre, problem është organizimi i mangët dhe aleancat e gabuara.
Eduart Selami kërkoi mbledhje urgjente të Këshillit Kombëtar për të analizuar situatën, sepse sipas tij, që nga viti 2013, PD-ja ka pasur vetëm humbje nën drejtimin e kryetarit Basha. Selami tha se PD-ja duhet të pranojë që humbi edhe për shkak të gabimeve të saj.
Këtë qëndrim mbajti edhe Majlinda Bregu, sipas së cilës, kryetari Basha është përgjegjës për aleanca qesharake dhe se PD-ja nuk mund të presë t’i shkelë syrin LSI-ja. Zonja Bregu thotë se Partia Demokratike është në konfuzion total në rang kombëtar dhe se degët lokale janë në bjerrje.