Rrëfimi i plakut shqiptar që e rrahën e ia dogjën shtëpinë në Mitrovicë

Fazli Deliu nga Mitrovica për më shumë se tri javë po endet nëpër spitale të ndryshme për ta shëruar plagën e thellë që e ka marrë në trup. 77 vjeçari thotë se është sulmuar nga një person brenda shtëpisë së tij në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Shipol.

Në një rrëfim për “Indeksonline”, Deliu ka shpjeguar se si një person, i cili pretendon se është familjar i kryetarit të komunës, e sulmoi dhe më pas ia vuri flakën shtëpisë ku jeton ai.

“Një person me thikë në duar ka ardh në shtëpinë ku rri dhe e ka shky jastëkun dhe e ka kallë me flakë, ma ka kall dorën me naftë (acid) dhe më ka thanë: ‘o ki me kallë ose ka me të masakru’. Është kushëri i kryetarit. Ai ka ba skandale dhe kush se dënon”, ka thënë Deliu.

Më tej, ai tregoi se ka njoftuar edhe organet e sigurisë për rastin në fjalë mirëpo ata, sipas tij, nuk kanë marrë pasa konkrete për sulmuesin.

“Jam kanë në polici dhe më kanë thanë se s’ki dëshmitar, çka po don ma shumë dëshmitarë se dora dhe shpija që ma ka kall. Kanë ardhur disa persona më kanë ndihmu dhe më kanë pru te mjeku”, është shprehur ai.

Ndryshe, Deliu është duke u ndihmuar nga disa persona të Mitrovicës të cilët përkohësisht e kanë strehuar të njëjtin në njërin prej hoteleve të qytetit. Poashtu e kanë dërguar në Qendrën Klinikeve Universitare të Kosovës për t’ia shëruar plagët e kraharorit. /Indeksonline/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu