Rritet mungesa e punëtorëve, Maqedonia e Veriut do të marrë punëtorë nga jashtë

Kompanitë po ankohen për mungesë të punëtorëve. Mungesa në nivel vjetor është rreth 10 mijë punëtorë, ndërsa më së shumti kuadro mungojnë në ndërtimtari dhe në hoteleri, thotë zv.kryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi.

Ai theksoi se është primare që punëtorët të punësohen këtu, por dhe se po bëhen përpjekje që të sigurohen punëtorë nga vendet tjera pa marrë parasysh nga vijnë ata. Por punëtorët nga sektori i ndërtimtarisë dhe hotelerisë janë pikërisht ata që largohen nga vendi, andaj është e paqartë se si do të motivohen punëtorët e huaj të punojnë në vendin tonë kur fuqia punëtore e vendit largohet nga vendi.

“Sigurisht që largohen për paga më të larta mesatare, paga mesatare te ne arrin 550 euro, ndërsa paga për të cilën shkojnë të punojnë është 1100 euro, ndërsa vendet prej të cilave vijnë punëtorët e minierave si dhe të ndërtimtarisë marrin mesatare prej 200 eurove, kështu që është cikël natyror i lëvizjes së fuqisë punëtore për më mirë”, tha Fatmir Bytyqi, zv.kryeministër për Çështje Ekonomike.

Kryerësi i detyrës ambasador i Gjermanisë, Oto Graf, i cili me delegacionin gjerman të biznesit nga Komiteti lindor i odës ekonomike gjermane kishte takim me zv.kryeministrin Bytyqi, tha se kompanitë gjermane e shohin Maqedoninë si mundësi të mirë për investim por theksoi se duhet të lehtësohen procedurat burokratike. Në raport me fuqinë punëtore tha se të gjithë duhet të japin kontribut edhe Qeveria edhe institucionet arsimore edhe kompanitë gjermane.

“Këtu shumë mbështetet arsimimi profesional dual, d.m.th. ata nuk presin që të kenë numër të mjaftueshëm të fuqisë punëtore por edhe vetë japin kontributin e tyre që të sigurohen që do të ketë kuadër të kualifikuar mjaftueshëm edhe në të ardhmen. D.m.th. ky është ai procesi dinamik. Të gjithë ne duhet të japim kontribut”, pohoi Oto Graf, k.d. ambasador i Gjermanisë.

Në takimin e sotëm të zv.kryeministrit Bytyqi dhe K.D. ambasador i Gjermanisë, Graf, së bashku me delegacionin gjerman të biznesit që u mbajt në Qeveri, është biseduar për avancimin e bashkëpunimit ekonomik. Gjermania është tregu ynë kryesor i eksportit ndërsa nga ana tjetër më shumë se 200 kompani me kapital gjerman kanë biznes në Maqedoni ku punojnë rreth 20 mijë persona.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu