Shefi i diplomacisë Osmani për vizitë në Sofje

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani sot do të realizojë vizitë pune në Sofje. Osmani do të takohet me kolegun e tij bullgar, Nikolaj Millkov ku së bashku do ta vizitojnë shtetasin e lënduar maqedonas i cili u sulmua fizikisht të enjten në Ohër, njoftoi dje MPJ-ja.

Vizita do të shfrytëzohet, siç thonë nga MPJ për shkëmbimin e mendimeve mes dy ministrave për incidentin në Ohër, për provokimet e shpeshta, si dhe për aktivitetet e dy ministrive për parandalim dhe rezistencë ndaj provokimeve të ngjashme.

Për momentin nuk ka asnjë qëndrim apo sqarim zyrtar nga MPJ as nga Ministria e Shëndetësisë lidhur me procedurën se si është larguar nga vendi, ndërsa nga Prokuroria thonë se lidhur me procedurat tjera për personin e apostrofuar më shumë detaje do të jepen të hënën, pasi të bëhet mbikëqyrje në lëndët që përmenden.

“I dëmtuari deri tani dy herë ka dhënë dëshminë e tij në procedurë dhe është i qasshëm për organet e përndjekjes. Përveç kësaj, ai ka interes ligjor për të marrë pjesë në procedurë. Prokuroria Publike nuk ka asnjë bazë ligjore ta mbajë të dëmtuarin”, theksuan nga Prokuroria për MIA-n.

Avokati dhe ish- gjyqtari Vlladimir Tufegçiq dje për televizionin “Telma” tha se është precedent mënyra se si 22 vjeçari Hristijan Pendikov, sekretar i klubit bullgar “Car Borisi i Tretë” nga Ohri është nxjerrë nga shteti, ndërsa hetimi në lokalin që u shndërrua në skandal diplomatik është komprometuar plotësisht me deklaratat e politikanëve.

“Është fakt mënyra se si është bërë kjo, me injorimin e plotë të organeve të drejtësisë së vendit, pra është precedent i rrezikshëm, sepse bëhet fjalë për hetim aktiv që tashmë është komprometuar me deklaratat politike të aktorëve politikë. Në këtë mënyrë rëndohet puna e prokurorit publik”, thotë avokati Tufegçiq.

Personi dyshohet si autor i veprës penale, por edhe në atë procedurë, shton Tufegçiq, duke pasur parasysh ngjarjen që ka shkaktuar vëmendje, nuk e di nëse prokurori publik në atë kontekst ka kërkuar nga gjykata që për personin të caktohet masë për sigurimin e pranisë në zbatimin e kësaj procedure.

Policia të premten ka arrestuar tre persona nga Ohri si të dyshuar se kanë sulmuar fizikisht bashkëqytetarin e tyre në një objekt hotelerik në Ohër.

Incidentin e dënuan shefi i shtetit Stevo Pendarovski, kryeministri Dimitar Kovaçevski, si dhe kolegët e tyre bullgarë, Rumen Radev dhe Galab Donev, ndërsa delegacioni i KE-së në Shkup kërkoi nga autoritetet që ta hetojnë rastin.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu