Shefi i diplomacisë spanjolle konfirmon se qytetarët nga Kosova s’mund të udhëtojnë në Spanjë: S’ia njohim pasaportën

Edhe pse liberalizimi i vizave vlen për të gjitha vendet e zonës Schengen, bartësit e pasaportave të Kosovës, nuk do të mund të udhëtojnë në Spanjë, për shkak se ky shtet anëtar i Bashkimit Evropian nuk ia njeh pasaportat.

Këtë e konfirmon edhe shefi i diplomacisë spanjolle, Jose Manuel Albares. Nëpërmjet një deklarate nga Brukseli Albares tha se Spanja është i vetmi vend ku kosovarët s’do të mund të lëvizin lirshëm edhe përkundër liberalizimit të vizave.

“Spanja ka politikën e saj mos-njohëse ndaj Kosovës dhe kjo përfshinë edhe mosnjohjen e pasaportës kosovare, sic e kemi bërë në mënyrë konstante deri tani”, ka thënë Albares.

Pas një pritje disa vjecare, kosovarët nga 1 janari 2024 do të mund të lëvizin pa viza në të gjitha shtetet e tjera të Bashkimit Evropian. Spanja, e cila prej 1 korrikut merr edhe kryesimin e Bashkimit Evropian, është më e zëshme sesa katër vendet tjera të BE-së që nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës.

Megjithatë, gjatë procesit të miratimit të vendimit për vizat, Spanja nuk ka kundërshtuar. Vendet tjera mosnjohëse të shtetësisë së Kosovës janë: Greqia, Qiproja, Rumania dhe Sllovakia.

Ato i njohin pasaportat e lëshuara nga autoritetet e Kosovës. Më 18 prill, Parlamenti Evropian e ka miratuar vendimin për vizat, ndërsa dokumenti është nënshkruar më 19 prill. Vendimi parasheh që qytetarët e Kosovës, të udhëtojnë pa viza në vendet e zonës Schengen, prej 1 janarit të vitit 2024. Regjimi pa viza mundëson udhëtime vetëm deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga shtetet anëtare të zonës Schengen.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu