Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Europian, Marta Kos, zhvilloi vizitën e saj të parë zyrtare në Kosovë, ku u prit nga ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, dhe Kryeministri Albin Kurti.
Kos deklaroi se Kosova e ka vendin në BE dhe bëri thirrje për stabilitet institucional, duke theksuar se nuk mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën. Nga ana e tij, Albin Kurti foli për progresin e vendit në demokraci dhe ekonomi, si dhe ngriti shqetësime për sigurinë rajonale dhe nevojën për llogaridhënie ndaj veprimeve që minojnë stabilitetin.
Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Europian, Marta Kos, mbërriti në Kosovë në vizitën e saj të parë zyrtare që prej marrjes së detyrës, në kuadër të takimeve me udhëheqësit institucionalë të vendit dhe diskutimeve për procesin e integrimit evropian. Kos fillimisht u prit nga ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, dhe më pas nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Pas takimeve, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Kurtin, Kos tha se Kosova e ka vendin në Bashkimin Evropian, por duhet të punojë për zgjidhjen e krizës dhe krijimin e institucioneve demokratike pas zgjedhjeve.
“Nuk mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën, sepse Kosova është pjesë integrale e pamjes më të madhe; zgjerimi sot është shumë më tepër sesa diçka në letër. Thirrja ime shumë e qartë është t’u kërkoj të gjithë aktorëve politikë që të gjejnë një mënyrë për të rikthyer stabilitetin në administratën publike. Do të ishte mirë të keni funksionim të qëndrueshëm institucional, pasi në Bruksel viti 2026 mund të jetë viti i Kosovës. I kam premtuar z. Kurti se sapo të keni të gjitha institucionet pas zgjedhjeve do të kthehem. Për t’i dhënë fund kësaj periudhe të gjatë institucionale, unë personalisht do të intensifikoj nivelin e punës me ju. Nuk mund ta mendojmë Evropën pa Kosovën. Dua t’ju siguroj se Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar ndaj rrugës së Kosovës drejt së ardhmes evropiane”, tha Kos.
Ndërkaq, Kurti u ndal tek siguria rajonale dhe aktet që minojnë vlerat e BE-së, duke kërkuar llogaridhënie për aktet terroriste të ndërmarra nga Serbia. Më tej, Kurti u shpreh se ka ndarë me komisionaren edhe progresin e madh të Kosovës drejt rrugës evropiane.
Kjo është vizita e parë e Marta Kos në Kosovë që prej marrjes së detyrës në Komisionin Evropian më 1 dhjetor 2024. Që nga fillimi i mandatit të saj, ajo ka vizituar të gjitha vendet e tjera të përfshira në procesin e zgjerimit të BE-së, ndërsa mungesa e një vizite në Kosovë ishte arsyetuar nga zyrtarët evropianë me krizën politike dhe mungesën e institucioneve funksionale në vend gjatë muajve të fundit.










