E mërkura në vendin tonë ka sjellë katër ndeshje në kuadër të 1/8 të finales së Kupës së Maqedonisë, ndërsa dy tjera pritet të luhen të mërkurën e ardhëshme. Skuadra e FC Shkupit pa ndonjë problem e ka mundur edhe në ndeshjen kthyese ekipin lider të Ligës së Dytë, Akademija Pandev, por kësaj radhe me lehtësi, duke i shënuar tri gola dhe duke pranuar vetëm një (3:1 – 0:1). Shkupjanët edhe pse dominuan edhe në pjesën e parë, arritën që të zhbllokojnë rezultatin vetëm në fillim të pjesës së dytë, kur pas një ndërhyrje të palejuar ndaj Florent Osmanit, nga pika e bardhë i sigurt ishte Muharem Bajrami, ndërsa epërsinë në 2:0 e rriti Florent Osmani, derisa golin e tretë e shënoi Khalil Lambin në minutën e 92. E tëra që arritën ta bëjnë mysafirët ishte goli i nderit, që e shënoi Naçevski në minutën e 62-të kur e ngushtoi epërsinë në 2:1. Teteksi edhe në ndeshjen e kthyese ka pësuar disfatë nga skuadra e Bregallnicës me rezultat 2:1.