Shqiptarët të përçarë në zgjedhjet e Malit të Zi

Edhe në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që mbahen të dielën e ardhshme në Malin e Zi partitë politike shqiptare janë ndarë në tre koalicione. Për herë të parë një parti shqiptare, Unioni Demokratik, me kryetar Mehmed Zenkën është përfshirë në koalicion me partinë e ish-presidentit Milo Gjukanoviç, ndërsa në garë janë edhe dy koalicionet e tjera shqiptare Aleanca Shqiptare dhe Forumi Shqiptar.

Partitë pro serbe janë mbledhur rreth Frontit Demokratik me lidhje më të forta me Serbinë dhe Rusinë premtojnë se do të kërkojnë zhvlerësimin e vendimit për njohjen e Kosovës si shtet i pavarur.

Në total konkurrojnë rreth 15 lista zgjedhore, por vetëm gjysma e tyre pritet të kenë deputete në parlamentin e ri me 81 vende gjithsej. Të drejtë vote do të kenë 542.468 qytetarë. Sipas sondazheve paraprake parashikohet një fitore relative e Lëvizjes Evropa Tani e presidentit Jakov Milatoviç, pasuar nga koalicioni Së Bashku i ish-presidentit Milo Gjukanoviç.

Vendin e tretë mund ta fitojë Koalicioni i Demokratëve kryesuar nga ish-kryeparlamentari Aleksa Beçiç dhe levizja URA e kryeministrit aktual Dritan Abazoviç. Në vend të katërt rezulton koalicioni i partive pro serbe, Për të ardhmen e Malit të Zi.

Pritshmëritë e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë që pas këtyre zgjedhjeve, Mali i Zi më në fund të ketë një qeveri të qëndrueshme që do të përshpejtonte reformat si shteti nga rajoni në pararojë të procesit të anëtarësimit në BE.

Më shumë se 60 përqind e qytetarëve nuk besojnë se partitë politike në Mal të Zi do t’i mbajnë premtimet e tyre parazgjedhore, ndërsa vetëm pak më shumë se një e katërta u besojnë atyre, sipas Qendrës për Edukim Qytetar. Ajo që të bie në sy është se fushata po zhvillohet kryesisht në rrjetet sociale pa tensione politike, pa mitingje të mëdha në ambiente. Zgjedhjet e 11 qershorit janë të gjashtat në radhë që nga pavarësia e Malit të Zi.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu