Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës në Hagë janë institucione të përkohshme me mandat dhe juridiksion të përcaktuar për krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe krime të tjera sipas legjislacionit të Kosovës, të cilat filluan të kryhen ose u kryen në Kosovë midis 1 janarit 1998 dhe 31 dhjetorit 2000. Ato u krijuan përmes një procesi ku Kosova vetë ndryshoi Kushtetutën dhe miratoi ligjin, pas një presioni dhe marrëveshjeje me BE-në.
Procesi i themelimit të kësaj gjykate nisi që kur Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës miratoi raportin për pretendimet për krime të rënda gjatë dhe pas luftës në Kosovë, përfshirë pretendimet për trafikim organesh. Pas saj BE-ja krijoi ekipin “Special Investigative Task Force”, për të hetuar këto pretendime në mënyrë të pavarur. Në vitin 2014, ekipi deklaroi se kishte prova të mjaftueshme për ngritjen e aktakuzave dhe se nevojitej një institucion gjyqësor ku të zhvilloheshin procedurat
Presidentja e atëhershme e Kosovës Atifete Jahjaga dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së shkëmbyen letra për krijimin e “Dhomave të veçanta gjyqësore”. Marrëveshja u ratifikua nga Kuvendi i Kosovës dhe më 3 gusht 2015, momenti vendimtar, kur, Kuvendi i Kosovës ndryshoi Kushtetutën, duke shtuar nenin 162, dhe miratoi Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Ligji u miratua pa praninë e opozitës së athershme e përbërë nga Vetëvendosja e Albin Kurtit, AAK e Ramush Haradinaj dhe Nisma për Kosovën e drejtuar nga Fatmir Limaj. Më i zëshmi kundër kësaj gjykate ishte Albin Kurti.
“Dakordimi i këtillë i qeverisë dhe i presidentes e tash kërkesa që këtë ta bëjë edhe Kuvendi i republikës për Gjykatën e Veçantë do të jetë një çek blanko i Kosovës për Gjykatën e Veçantë. Sepse, ne nuk e kemi parë as bazën e kësaj gjykate të veçantë, as përbërjen e saj, as rregullat, as afatin e financimin e as qëllimin e saj. Çfarë do votimi në Kuvendin e Republikës së Kosovës për këtë gjykatë të veçante është çek blanko, sepse ne nuk e kemi materialin e nevojshëm që të dijmë se çfarë do të votohet. Në fakti, ata që do të votojnë për nuk e dinë se për çfarë kanë votua. Votë e vërtetë është vetëm vota kundër, si votë kundër imponimit dhe jo transparencës”, Albin Kurti, Lëvizja Vetëvendosje ( 23 prill 2014) /Medina Ajeti Ali /SHENJA/










