Sot raportet e progresit për vendet e Ballkanit, dita “D” për Shkupin dhe Tiranën

Komisioni Evropian sot do të publikojë raportet e progresit për vendet e Ballkanit Perëndimor. Eurokomisari për zgjerim Johannes Han nesër në Komitetin e Politikës së Jashtme të Parlamentin Evropian do të paraqesë pakon për zgjerim të BE-së për çka komiteti do të diskutojë. Sipas procedurës, ministrat e punëve ta jashtme të vendeve anëtare të BE-së, duhet të diskutojnë për hapjen e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë menjëherë pas publikimit të pakos.

Sipas burimeve diplomatike, nuk ka pëlqim nga të gjitha vendet anëtare të BE-së për të hapur negociatat, pasi disa prej tyre kërkojnë procedura në nivel kombëtar dhe afati kohor nuk e lejon këtë. Tek vende tjera anëtare nuk ka disponim për dhënie të dritës jeshile, ndërsa për fillim të bisedimeve është i nevojshëm vendimi i njëzëshëm i të gjitha vendeve anëtare. Hahn më herët njoftoi se Komisioni Evropian pritet të rekomandojë hapjen e negociatave për anëtarësim të plotë me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në parim, ishte planifikuar që Këshilli i Ministrave të KE vendimin për hapjen e negociatave të anëtarësimit me këto vende do ta marrë në qershor, por debati mund të shtyhet për një takim ministror në korrik, në fillim të presidencës finlandeze të BE-së, për shkak se disa vende kërkojnë aprovimin e parlamenteve.

Raporti i KE-së për Maqedoninë e Veriut

Në bazë të progresit të arritur, Komisioni Evropian rekomandon hapjen e negociatave të anëtarësimit me Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Maqedonia e Veriut ka arritur rezultate të prekshme dhe thelbësore.
Burimet e Alsat, thonë se rekomandimi që do të merret nesër për çeljen e negociatave për anëtarësim, akordohet falë valorizimit të sukseseve në fushën e politikës së jashtme, Marrëveshjen e Prespës dhe zgjidhjen përfundimtare të çështjes së emrit me fqinjin jugor Greqinë, marrëveshjen me Bullgarinë, si dhe reformat e tjera veçanërisht në shërbimet e sigurisë. Po ashtu, mësohet se me notë pozitive të mjaftueshme është vlerësuar edhe progresi në administratën publike dhe gjyqësor.

Komisioni Evropian, siç është thënë disa herë nga zyrtarët e BE-së, synon që Maqedoninë e Veriut ta prezantojë bashkë me Shqipërinë. Me këtë rast, kjo duket të jetë e vetmja pengesë për vendimin pozitiv për marrjen e datës në qershor. Sipas burimeve të Alsat, Tirana zyrtare pritet të marrë rekomandim pozitiv, por me notën e kushtëzuar me reformat.

Raporti i KE-së për Shqipërinë

“Duke pasur në konsideratë vendosshmërinë e Shqipërisë… Komisioni Evropian rekomandon hapjen e negociatave për anëtarësim. Por, Shqipëria duhet të vazhdojë të shënojë hapa të dukshëm në fushën e krimit të organizuar, korrupsionit… Një konsensus më i fuqishëm kombëtar nevojitet për të bërë prioritet procesin e BE-së.”

Aktualisht, Franca mbetet kundër hapjes së negociatave me të dyja vendet por ky qëndrim mund të ndryshojë deri në samitin e ministrave të Jashtëm në qershor. Këtë shpresë të lidershipit në Maqedoni e reflektoi edhe presidenti Stevo Pendarovski në takimin me raportuesin për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Evropian, eurodeputetin Ivo Vajgëll.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu