Stadiumi i Tetovës, Kasami: Vendimi i Qeverisë për ndaljen e punimeve, ‘urdhër’ nga Grubi

Vendimi i Qeverisë për ndërprerjen e punimeve për ndërtimin e stadiumit të Tetovës ka shkaktuar reagime të shumta, shkruan Alsat.

Kreu i Komunës Bilall Kasami tha se procedura për ndërtimin është konform ligjit.

Vendimi i Qeverisë sipas Kasamit është marrë nën diktat të Grubit pasi sipas tij objektin kanë dashur t’ia japin një kompanie për lojëra të fatit.

Kasami thotë se në vend që Qeveria e udhëhequr nga kryeministrit teknik Talat Xhaferi ta ndihmojë financiarisht ndërtimin e Stadiumit, ajo miraton vendime në dëm të Tetovës dhe tetovarëve.

“Garantoj të gjithë qytetarët dhe institucionet se gjitha procedurat dhe procesi është në bazë të ligjit, Stadiumi i Tetovës i është dhënë Komunës së Tetovës në shfrytëzim të përhershëm. Ne nuk ndryshojmë destinacionin, ne nuk e prishim stadiumin, por ne ndërtojmë një stadium të ri aty dhe i cili, do i rritet vlera edhe pronës shtetërore me të cilën menaxhon Komuna e Tetovës”. 01:24 “Fatkeqësisht ne e kemi dyshime të bazuara që kjo qeveri në ikje, nën presionin e Artan Grubit ka dashur që edhe objektin e Stadiumit të Tetovës, t’ia japë një kompanie për lojëra të fatit, që aty të bëhet një kazino”, tha Bilall Kasami, kryetar i Komunës së Tetovës.

Në vendimin e një dite më parë të Qeverisë për ndalimin e punimeve në stadium thuhet se Komuna e cila e ka në përdorim të përhershëm stadiumin, ia ka dhënë në shfrytëzim Ndërmarrjes Publike “Tetova Transport.

“Qeveria në arritjen e konkluzioneve të mbledhjes ka marrë parasysh edhe dispozitat e Ligjit për Shfrytëzimin dhe Disponimin me Sendet në Pronë Shtetërore dhe me Sendet në Pronë Komunale, sipas së cilës kompetencë të lejojë shfrytëzim të përhershëm dhe të përcaktojë përfundimin e së drejtës së shfrytëzimit, ka vetëm Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thuhet nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

Por, për këtë, Kasami, kundërpërgjigjet duke thënë se “Tetova Transport” vetëm obligohet për ndërtimin e stadiumit dhe nuk i është dhënë në shfrytëzim.

“Ne nuk kemi bërë ndryshimin e pronësisë së stadiumit, edhe më tutje Komuna e Tetovës është shfrytëzues. Ndërmarrja Komuna për Transport është obliguar që të rindërtojë stadiumin, në bazë të gjitha procedurave është bërë shpallja, tenderimi. E njëjta ka kaluar në Byronë për Prokurime Publike në mbikëqyrje”, tha Bilall Kasami, Kryetar i Komunës së Tetovës.

Qeveria dje njoftoi se do t’i rekomandojë Gjykatës Kushtetuese që ta përshpejtojë procedurën për nismën e parashtruar për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së procedurave në lidhje me Stadiumin e Tetovës.

Nga Kushtetuesja për Alsat, thonë se lënda është në fazën e procedurës paraprake.

“Pas dorëzimit të iniciativës, Gjykata Kushtetuese ka formuar lëndë dhe e ka caktuar për ta punuar te gjykatësi dhe këshilltari. Lënda është në fazën e procedurës paraprake dhe po veprohet ndaj të njëjtës në pajtueshmëri me procedurat e rregullores. Është dorëzuar edhe kërkesë deri te Komuna e Tetovës si miratues i aktit, po mblidhen të gjitha të dhënat e nevojshme. Duhet të punohet lënda, ndërkaq sipas Rregullores, gjithmonë Gjykata kur mbledh informata për lëndën, mes tjerash, kërkon edhe mendim nga ai organ që e ka miratuar vendimin. Kur do të jetë në seancë, do ta publikojmë lëndën”, thonë nga Gjykata Kushtetuese.

Ndryshe, aktivitetet për ndërtimin e Stadiumit kanë filluar në prill, ndërkaq sipas paralajmërimeve, projekti që do t’i kushtojë komunës 10 milion euro duhet të jetë gati për tre vjet.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu