Stoltenberg kërkon rritjen e shpenzimeve për NATO-n: Është minimumi i asaj që na nevojitet në këtë epokë

Jens Stoltenberg, i lindur në vitin 1959, ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s që nga tetori i vitit 2014. Ish-kryeministri norvegjez supozohej ta linte këtë post shtatorin e vitit të kaluar, por e zgjati mandatin e tij me një vit për shkak të pushtimit rus të Ukrainës. Një pasardhës i mundshëm nuk është zgjedhur ende. Në një intervistë për “Der Spiegel”, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i bën thirrje Gjermanisë që të rrisë sa më shpejt shpenzimet e saj të mbrojtjes, ku ndër të tjera thotë se pret që së shpejti të ketë një debat nëse do të furnizohet apo jo Ukraina me avionë luftarakë.

Zoti Stoltenberg, kur vizituat Ukrainën muajin e kaluar, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy i bëri thirrje Perëndimit ta furnizojë vendin e tij me më shumë armë me rreze të gjatë, avionë luftarakë perëndimorë dhe tanke. A po merr Ukraina mbështetje të mjaftueshme nga NATO?

Aleatët e NATO-s po ofrojnë një mbështetje të paprecedentë për Ukrainën. Ata po e furnizojnë atë me tanke, mjete të blinduara, artileri moderne dhe sisteme të avancuara të mbrojtjes ajrore. Gjermania po luan një rol kyç në këtë ndihmë, me dërgimin e tankeve Leopard-2 dhe sistemeve të mbrojtjes ajrore si Iris-T dhe Patriot. Përveç kësaj, partnerët e NATO-s kanë trajnuar dhe pajisur me armatime 9 brigada ukrainase vetëm gjatë 2 muajve të fundit.

Por ajo që po ngurrojnë të dërgojë evropianët dhe amerikanët në Ukrainë, pavarësisht kërkesave të përsëritur të Ukrainës, janë avionët luftarakë perëndimorë. A është ky një gabim?

Furnizimi me armë ka evoluar ashtu siç ka evoluar edhe lufta. Në fillim ishte tejet i rëndësishëm dërgimi i armëve të lehta antitank. Më pas fokusi ishte tek topat dhe sistemet e mbrojtjes ajrore, dhe më pas i erdhi radha tankeve.

A do të zgjidhet ky problem kur Ukraina të fillojë kundërsulmimin e saj?

Disa vende, si Polonia dhe Sllovakia, i kanë dërguar tashmë avionë luftarakë Ukrainës, edhe pse bëhet fjalë për MiG-29 të vjetër të projektuar nga sovjetikët. Ne po diskutojmë vazhdimisht mbi dërgimin e avionëve luftarakë modernë perëndimorë. Pres që kjo çështje të diskutohet edhe në takimin e ministrave të mbrojtjes të NATO-s në qershor. Por po aq e rëndësishme sa furnizimi me këto armë është edhe mirëmbajtja e tyre.

Rusët kanë të njëjtat probleme. Si e vlerësoni potencialin e forcave të armatosura të Putinit?

Rusët kanë moral të dobët, pajisje të këqija, stërvitje të dobët, një logjistikë dhe udhëheqje të keqe. Por ajo që u mungon në cilësi, e kompensojnë shpeshherë në sasi. Ata kanë pësuar vërtet humbje të mëdha në Ukrainë, në pajisje dhe personel, por forcat e tyre ajrore dhe detare janë pak a shumë të paprekura. E njëjta gjë vlen edhe për aftësitë e tyre kibernetike.

Mendoni se ukrainasit do të kenë materiale të mjaftueshme në kohë për ofensivën e tyre pranverore për ta detyruar Vladimir Putinin të ulet në tryezën e bisedimeve?

Ukrainasit e kanë vërtetuar tashmë në veri të vendit, në Kharkiv dhe në jug, në Kherson, se janë të aftë të çlirojnë territoret e pushtuara. Tani, ne po u japim mundësi të çlirojmë më shumë territore. Sigurisht, vendimet operacionale se si dhe kur të nisë një ofensivë duhet të merren nga ukrainasit.

Në mars, vendet anëtare të Bashkimit Evropian premtuan t’i sigurojnë Ukrainës 1 milionë copë municion artilerie brenda 12 muajve. Ata janë ende shumë larg këtij objektivi, dhe nuk po funksionon blerja e përbashkët e planifikuar e municioneve…

Unë e mirëpres faktin që BE-ja po rrit dhe po koordinon përpjekjet për dërgesat e municioneve të anëtarëve të saj. Lufta në Ukrainë ka treguar boshllëqet që kemi në rezervat tona, por edhe në kapacitetin tonë prodhues. Këtë problem po e trajtojmë edhe në NATO. Gjermania, Franca, Shtetet e Bashkuara, Norvegjia dhe disa vende të të tjera kanë nënshkruar kontrata me industrinë që u mundëson atyre të rrisin prodhimin. Megjithatë, në planin afatgjatë, ka vetëm një mënyrë për të rritur kapacitetin: Duhet të investojmë më shumë.

Ju keni mbrojtur idenë që aleanca të miratojë 2 përqindëshin e PBB si pragun minimal për shpenzimet e mbrojtjes. Por ky objektiv u vendos 9 vjet më parë, dhe deri vitin e kaluar vetëm 7 nga 30 shtetet anëtare e kishin arritur atë. Cili është qëllimi i vendosjes së objektivave të reja nëse të vjetrat nuk janë përmbushur ende?

Unë pres që të gjithë ata aleatë që nuk kanë arritur ende 2 përqindëshin, ta bëjnë këtë sa më shpejt të jetë e mundur. Dhe e mirëpres angazhimin e qartë të Gjermanisë për të investuar më shumë në mbrojtje dhe për të shpenzuar 100 miliardë euro në mbrojtje. Gjermania ka vendosur të blejë avionë luftarakë dhe helikopterë të gjeneratës së pestë. Ajo dëshiron ta forcojë mbrojtjen e saj ajrore. Të gjithë e dimë se kjo kërkon pak kohë. Por të paktën Gjermania po ecën tani në drejtimin e duhur.

Kur ishit në Kiev, Zelenskyy ju tha se tani është koha që t’i jepet Ukrainës një perspektivë e qartë për anëtarësimin në NATO. Çfarë prisni nga samiti i NATO-s në Vilnius në korrik?

Nuk mund të parashikoj vendimet e krerëve të shteteve dhe qeverive, por ajo që mund të them është se të gjitha vendet e NATO-s janë dakord që Ukraina të bëhet anëtare e NATO-s. Kjo u tha qartë në samitin e vitit të kaluar dhe u përsërit në dhjetor. Por tani për tani detyra më urgjente është të ndihmojmë Kievin në konfliktin ushtarak me Moskën.

Ka të ngjarë që lufta të hyjë në një ngërç pas ofensivës ukrainase dhe të kemi atë që quhet “konflikt i ngrirë”, një situatë në të cilën nuk ka konflikt të madh ushtarak, por gjithsesi ai është aty. A keni frikë se pas kësaj do të zbehet mbështetja e Perëndimit për Ukrainën?

Vladimir Putin bëri dy gabime të mëdha strategjike kur pushtoi Ukrainën. Njëra ishte të nënvlerësoheshin totalisht ukrainasit, populli ukrainas, forcat e armatosura dhe lidershipi politik. Por ai gjithashtu nënvlerësoi NATO-n dhe partnerët e saj. Unë jam i impresionuar nga uniteti dhe vendosmëria e aleatëve dhe partnerëve të NATO-s në ofrimin e mbështetjes për Ukrainën. NATO do të mbështesë Ukrainën për aq kohë sa duhet.

Kjo mund të ndryshojë nëse konflikti zgjat për një kohë të gjatë. Tashmë po shohim shenjat e para të kësaj…

Natyrisht, në 31 demokraci ka zëra dhe mendime të ndryshme dhe kjo gjë është pjesë e shoqërive demokratike. Por kam besim se shoqëritë tona të hapura e kuptojnë se sa e rrezikshme do të ishte një fitore e Putinit për lirinë, për demokracinë apo për pluralitetin. Nëse fiton në Ukrainë, do të dërgojë mesazhin se kur udhëheqësit autoritarë përdorinfuqinë ushtarake, ata marrin atë që duan.

Nga Markus Becker & Ralf Neukirch “Der Spiegel”


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu