Suarezi tregon arsyen pse Messi nuk i shikon ndeshjet e Barcelonës

Qendërsulmuesi i Barcelonës, Luis Suarez, ka bërë të ditur se ylli argjentinas, Lionel Messi, nuk i shikon kurrë përsëritjet e ndeshjeve të Barçës në televizion, pasi që ai është tejet kritikues ndaj paraqitjes së vet.

Suarezi ka luajtur së bashku me Messin që nga viti 2014, kur u transferua në Barcelona nga Liverpooli. Gjatë kësaj kohe, kjo dyshe e ka krijuar njërën ndër partneritet më të rrezikshme të sulmit në futboll, transmeton Gazeta Express.

Në një intervistë të dhënë gjatë kohës së fundit, Suarezi bëri të ditur se argjentinasi preferon t’i diskutojë ndeshjet me të më shumë sesa t’i shikojë përsëritjet, pasi që të dy janë tejet kritikues ndaj paraqitjeve të tyre.

“Jo, [ai nuk i shikon përsëritjet e ndeshjeve në televizion]. Por, ne flasim për shumë situata të ndryshme që mund të kenë ndodhur gjatë ndeshjes”, ka thënë Suarezi, i cili i ka shënuar 16 gola gjatë këtij sezoni.

“Ne flasim për pjesët e mira, por edhe pjesët e këqija pasi që të dy jemi shumë kritikues ndaj paraqitjeve tona. Ka disa ditë kur ekipi fiton dhe unë mbetem i zemëruar pasi që nuk performova mjaftueshëm mirë”.

“Dhe Leo gjithmonë e di kur unë nuk po ndihem mirë, në të njëjtën mënyrë siç e di edhe unë kur ai është i zemëruar për shkak se nuk performoi aq mirë sa dëshironte”.

Messi ka arritur të jetë mjaft mbresëlënës këtë sezon me paraqitjet e tij. Në gjithsej 26 ndeshje të zhvilluara, ai i ka shënuar 27 gola dhe i ka asistuar 17 të tjera. Deri më tani, ai e kryeson garën për Këpucën e Artë të Evropës.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu