Sylvinho promovon Shqipërinë, rrëfen rrugëtimin me kuqezinjtë

Në një intervistë për median portugeze “ZeroZero” trajneri i Kombëtares Sylvinho ka rrëfyer rrugëtimin e tij që prej një viti me përfaqësuesen kuqezi. Braziliani ka vlerësuar sërish kushtet e punës që i ka ofruar Federatës Shqiptare e Futbollit.

“Një Federatë shumë e evoluar, një godinë krejtësisht e re, më shumë se 100 punonjës, katër kate ekskluzive për punën tonë. Kishte njëfarë frike nga ana jonë, sepse ky kompleks stërvitor është pikërisht në qendër të Tiranës, por e vërteta është se nga tifozët, nga njerëzit, ka vetëm respekt. Kam gjetur një Federatë shumë të strukturuar”.

Puna e teknikut është lehtësuar pasi ka gjetur edhe futbollistë profesionistë.

“E kuptuam shpejt që kishim një grup të mirë futbollistësh, pasi pothuajse të gjithë luajnë në kampionate shumë të rëndësishme. Në Serinë A, në Bundesligë, në Premier League, në La Liga, në Portugali, të gjithë këto kampionate kanë lojtarë shqiptarë”.

Pak muaj nga Europiani i Gjermanisë, tekniku e lë derën hapur edhe për lojtarë të tjerë veç atyre me të cilët arriti finalet.

“Kemi futbollistë me kombësi italiane, zvicerane apo gjermane që janë me origjinë shqiptare. Federata po e kryen shumë mirë punën e evidentimit të talenteve dhe nuk është punë dytësore. Kemi pasur tetë ndeshje kualifikuese, disa tashmë janë thirrur dhe të tjerë mund të vijnë në të ardhmen”.

Për Sylvinhon, kualifikimi në Europian duhet të bëhet i zakonshëm për Shqipërinë, ndërsa shtoi se në të ardhmen do të synohet edhe pjesëmarrja në finalet e Botërorit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu