Qytetet e mëdha në giithë botën po rrisin masat e sigurisë, në prag të grumbullimit të një numri të madh njerëzish për festimet e natës së Vitit të Ri 2017.
Siguria është përforcuar në shumë qytete për shkak të sulmit me kamion më 19 dhjetor në në treg Krishtlindjesh në Berlin që shkaktoi vdekjen e 12 vetëve, si edhe sulmeve të tjera në vitin 2016.
Kryeqyteti gjerman ka vendosur pengesa betoni dhe autoblinda pranë portës tradicionale të Brandenburgut, për të mbrojtur turmat nga automjetet.
Parisi i anulloi fishekzjarret tek Kulla Eifel përsëri këtë vit, por ato do të hidhen në shëtitoren Champs-Elysees ku janë shtuar masat e sigurisë me ushtarë të armatosur dhe pengesa trafiku.
Në qendër të Londrës, policia e armatosur do të dislokohet për herë të parë në trenat e metrosë. Disa oficerë të armatosur e kanë mbrojtur sistemin e metrosë vitet e fundit, por kjo është hera e parë që oficerë me armë do të udhëtojnë në trena me pasagjerë që shkojnë në sheshin Trafalgar dhe në brigjet e lumit Tamiz për të festuar vitin e ri.
Zyrtarët e qytetit të Nju Jorkut kanë vendosur dhjetra kamiona të mbushur me rërë pranë garatçelave në Times Square në Manhattan. Synimi është që ato të jenë si një barrierë.