Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shpërthyer me akuza të forta nga paraburgimi në Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke e cilësuar procesin ndaj tij si të devijuar dhe të padrejtë.
Në një intervistë për emisionin Opinion të gazetarit Blendi Fevziu, Thaçi deklaroi se po mban mbi supe gati gjashtë vite izolim pa një vendim përfundimtar, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi drejtësinë e procesit.
“Ky proces ka devijuar – drejtësia duhet të vihet në vend, jo hakmarrja,” theksoi ai, duke kërkuar transparencë, llogaridhënie dhe respektim të të drejtave themelore të njeriut.
Në një prej deklaratave më të forta, ish-presidenti u shpreh se në paraburgim i është mohuar zëri dhe veprimi: “Më është mbyllur goja për të folur dhe më janë lidhur duart për të vepruar ashtu siç mendoj.”
Deklaratat e Thaçit pritet të nxisin reagime të forta politike dhe juridike, ndërsa procesi ndaj tij vazhdon të mbetet një nga çështjet më të ndjeshme për opinionin publik shqiptar dhe ndërkombëtar./INA/










