“Tigër letre”, varg kritikash për Gërvallën pas deklaratës ndaj BE-së në Forumin e Dubrovnikut

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, tha të shtunën se BE-ja pa SHBA-të dhe NATO-n, është një “tigër prej letre” në aspektin e sigurisë.

Kjo deklaratë e saj ka nxitur reagime të shumta si nga ndërkombëtarët ashtu edhe opozita në Kosovë.

Këtë deklaratë ministrja Gërvalla e bëri gjatë një fjalimi në kuadër të Forumit të Dubrovnikut, ku tha se BE-ja nuk mund të ofrojë paqe dhe siguri në Evropë.

“Sepse nuk është në gjendje dhe e aftë për të ofruar siguri. Arsyet janë të dukshme: nuk ka vullnet politik, ka shumë mospajtime në union dhe pa SHBA-në dhe NATO-n, BE-ja është një ‘Paper Tiger’ (tigër prej letre) në aspektin e sigurisë. Për shkak se ju e dini këtë, kërkoni paqe në vazhdimësi. Mirëpo, kjo është e rrezikshme. Paqësimi i BE-së me Rusinë ka bërë që Putini të përshkallëzojë”, është shprehur Gërvalla.

I dërguari amerikan, Gabriel Escobar tha se ndryshe nga ministrja Gërvalla, mendon se “gjithçka pozitive që ka ndodhur në Ballkan, ka qenë kombinim i bashkëpunimit të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara”.

“Më vjen keq, që dua të dalloj këtu me kolegen time nga Kosova, por çdo gjë pozitive që ka ndodhur në Ballkan në gjeneratën e fundit është arritur me bashkëpunimin e kombinuar SHBA-BE. Integrimi mbetet aspirata jonë më e lartë për rajonin”, ka theksuar diplomati amerikan.

Lajçak në replikën e tij ka thënë se “BE-ja është larg të qenit perfekt, por është më i miri që kemi”.

Ai gjithashtu është shprehur se hyrja në BE është arritje dhe ëndërr e vendeve që duan të anëtarësohen në të.

Nuk ka bashkim tjetër shtetesh në këtë planet qe ka sjellë stabilitet politik, prosperitet ekonomik, kohezion social më të madh dhe respekt për të drejtat e njeriut. Kështu që mendoj se hyrja në BE është arritje dhe ëndërr e vendeve që trokasin në dyert e BE-së”, ka thënë emisari evropian.

Përfaqësues të opozitës në Kosovë kritikuan fjalimin e ministres Gërvalla duke e cilësuar “të papërgjegjshme” deklaratën e saj për BE-në.

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, duke i quajtur papërgjegjësi “e përzier me megalomania dhe injorancë”.

“Evropa tigër prej letre, deklaron Ministrja e Jashtme e Kosovës në një konferencë ndërkombëtare. Çfarë papërgjegjësie, e përzier me megalomani dhe injorancë. Zatën, këto të tria rëndom shkojnë bashkë. Sa për referencë, ‘tigër prej letre’ i ka quajtur Mao Zedong SHBA-të”, ka shkruar ajo në Facebook.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu