Trump i cilëson si grusht shteti hetimet për shkarkimin e tij

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, përmes një postimi në rrjetin social Twitter i ka quajtur akuzat ndaj tij grusht shteti, për të hequr pushtetin e njerëzve.

“Teksa po kuptoj çdo ditë e më shumë, kam dalë në përfundimin se ajo çfarë po ndodh nuk është një hetim, por një grusht shteti”, shkroi Trump në Twitter.

Javën e kaluar, demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së nisën një hetim lidhur me një telefonatë, më datë 25 korrik, midis Trump dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Në këtë telefonatë, Trump pyet Zelensky-n për të kryer një hetim rreth rivalit politik të presidentit republikan, ish-nënkryetarit, Joe Biden.

Trump ka përdorur gjuhë të fortë, duke iu referuar hetimit si “gjueti shtrigash”.

Gjatë fundjavës, ai shkroi në Twitter se nëse do të pezullohej nga detyra përmes një procesi të plotë fajësimi, kjo gjë mund të çonte në luftë civile, një deklaratë kjo që ngjalli shqetësim edhe tek anëtarët e Partisë së tij Republikane.

Të hënën, Trump e quajti të rreme ankesën e denoncuesit, i cili nxiti nisjen e hetimit. Ai gjithashtu ngriti dyshime nëse demokrati Adam Schiff, kreu i Komitetit të Inteligjencës së Dhomës së Përfaqësuesve, duhet të arrestohet për tradhti.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu