U bë i famshëm përmes Messit, ja tmerri që përjetoi djaloshi afgan

Djaloshi afgan, Murtaza, i cili u bë i famshëm me fanellën e tij prej plastmasi të Leo Messit, i cili ia doli për ta takuar idhullin e tij personalisht, ka qenë i detyruar të largohet nga shtëpia e tij në jug të Afganistanit, si pasojë e një sulmi të talibanëve.

Asokohe 7-vjeç, ai u bë i famshëm në mbarë botën, në vitin 2016, kur u publikua fotografia e tij, në të cilën shfaqej i veshur me një qese plastmasi, me vija blu dhe të bardha dhe një “Messi 10” të shkruar në anën e pasme. Menjëherë, kjo foto dhe historia e tij u bë “virale” në rrjetet sociale.

Murtaza jetonte me familjen e tij në Jaghori, provincën jugore të Ghazni, e cila konsiderohet si zona më e sigurt dhe e qetë në 17 vitet e fundit të konfliktit. Por, qetësia relative përfundoi në fillim të nëntorit, kur talibanët sulmuan në rajon, duke detyruar më shumë se dy të tretat e popullsisë të iknin në kërkim të një strehimi tjetër.

“Më mungon shtëpia ime në Jaghori. Këtu nuk kam një top, nuk mund të luajnë futboll, as të dal jashtë”, – ankohej djaloshi në Kabul, ku bashkë me familjen u strehua për dy javë. Sytë e djaloshit mbushen me lot, kur i kujton dy fanellat e nënshkruara nga Messi dhe topin, që ylli i Barcelonës i dha atij. Tani ka mbetur në qiell të hapur, pa shtëpi.

“Fanellat dhe topi më kanë mbetur në Jaghori, – shpjegon ai. – Nuk mundëm t’i merrnim, sepse u larguam nga shtëpia gjatë natës. Mami u mundua, por nuk mundi të merrte topin dhe as fanellat, që m’i dhuroi Messi. Duhej të iknim shpejt, sepse ishim në rrezik për jetën”.

Forcat afgane të sigurisë i kanë dëbuar kryengritësit nga kjo zonë, por familja ka vendosur të mos kthehet më në fshat. Edhe para se talibanët ta sulmonin rajonin në nëntor, familja e Murtaza ka marrë kërcënime telefonike për shkak të famës së papritur të djaloshit. Vëllai i tij më i madh, Humayoon Ahmadi, 17 vjeç, tha: “Pasi Murtaza u takua me Messin në Katar, situata u bë e komplikuar dhe kemi jetuar plot frikë. Njerëzit rreth nesh mendonin se Messi na kishte dhënë shumë para”.

I riu tha se nganjëherë, njerëz të panjohur silleshin rreth shtëpisë në mbrëmje dhe të afërmit kanë marrë kërcënime: “Për shkak të gjithë kësaj, Murtaza kishte frikë se e rrëmbenin dhe praktikisht u mbyll në shtëpi. Nuk e kemi dërguar në shkollë për dy vite”.

Kërcënimet u bënë të padurueshme dhe familja mori rrugën e mërgimit në Pakistan, në maj 2016, duke shpresuar për të arritur në SHBA. Megjithatë, kërkesa për azil u hodh poshtë, pas disa muajsh, dhe Murtaza, prindërit e vëllezërit e tij u detyruan të ktheheshin në fshatin e tyre, prej nga tani janë zhvendosur për shkak të konfliktit.

Dy vite pas ndeshjes, ku doli në fushë dorë për dore me Messin, Murtaza nuk e ka harruar një premtim, të bërë nga argjentinasi, gjatë udhëtimit të tij në Katar: “Messi më tha: kur të jesh pak më i madh, unë do t’i rregulloj gjërat për ty”. Por, prej asaj dite, ai nuk ka pasur më asnjë kontakt me kapitenin e Barcelonës.

“I kërkova Messit të më merrte me vete, sepse nuk mund të luaj futboll këtu. Këtu është vetëm luftë”, – thotë djaloshi afgan, duke imituar shpërthimet e bombave dhe të shtënat me armë. “Sa herë që dëgjon një bombë, apo krismën e një arme, ai shkon e fshihet nën krevatin tim”, – shpjegoi nëna e tij, Shafiqa, 38 vjeçe.

Foto:


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu