Ukraina “fiton epërsi” në luftën me Rusinë, Axios: Mund të sulmojë kudo dhe kurdo që të dëshirojë, madje edhe në Moskë ose Shën Petersburg

Sipas një analize të publikuar nga Axios, objektet energjetike, fabrikat e prodhimit të armëve dhe bazat ushtarake ruse janë bërë gjithnjë e më të prekshme nga sulmet ukrainase. Sulmet e vazhdueshme ndaj rafinerive kanë shkaktuar edhe mungesa karburanti në disa zona të Rusisë, ndërsa në disa raste shpërthimet kanë nxitur panik te banorët e Moskës.

Nga ana tjetër, presidenti rus Vladimir Putin ka pranuar se ekzistojnë “probleme” dhe “mangësi” në mbrojtjen kundër sulmeve ukrainase, por ka minimizuar ndikimin e tyre.

Ndërkohë, luftimet në Ukrainë vazhdojnë me intensitet. Forcat ruse kryen sulme të reja gjatë natës ndaj Kievit, ku humbën jetën të paktën 30 persona, ndërsa ofensiva në rajonin e Donetskut vijon pavarësisht humbjeve të konsiderueshme të ushtrisë ruse.

Zelensky i ka quajtur sulmet në territorin rus “sanksione me rreze të gjatë”, duke iu referuar goditjeve ndaj objektivave ushtarake dhe industriale qindra kilometra larg kufirit. Gjatë viteve të luftës, Ukraina ka zhvilluar ndjeshëm kapacitetet e saj ushtarake, duke u mbështetur kryesisht te dronët e prodhuar në vend dhe raketat e modifikuara.

Mes objektivave të goditura së fundmi përmendet edhe fabrika ruse Titan-Barrikady, ku prodhohen sisteme artilerie, ndërsa më herët Operacioni “Rrjeti i Merimangës” tregoi përdorimin e dronëve të vegjël të pajisur me eksploziv për të goditur avionë luftarakë rusë në baza ajrore.

Sipas një raporti të Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS), gjatë vitit 2026 Ukraina ka zgjeruar ndjeshëm sulmet në territorin rus, duke përdorur dronë dhe raketa me rreze të shkurtër, të mesme dhe të gjatë për të goditur zinxhirin e furnizimit ushtarak të Rusisë. Raporti e përshkruan këtë strategji si një “izolim klasik ajror”, të realizuar jo me avionë, por me dronë dhe raketa.

Megjithatë, ekspertët theksojnë se jo të gjitha sulmet ukrainase rezultojnë të suksesshme, pasi sistemet ruse të mbrojtjes ajrore dhe luftës elektronike vazhdojnë të neutralizojnë një pjesë të sulmeve.

Një tjetër zhvillim i rëndësishëm është operacioni 40-ditor i njoftuar nga Zelensky, i cili synon të rrisë presionin ndaj Moskës dhe ta detyrojë Rusinë të rikthehet në tryezën e negociatave. Megjithatë, deri tani nuk ka shenja konkrete për një përparim diplomatik mes palëve.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu