Vazhdon helmimi i Tetovës: Jugohromi shpërfill edhe afatin e fundit për vendosjen e filtrave

Skadon për të disatën herë afati për vendosjen e filtrave të kombinatit metalurgjik Jugohrom. Qeveria e cila i mundësoi shumë afate Jugohromit që të përmbushë standardet ekologjike, nesër përfundimisht pritet të vendosë nëse do të lejojë helmimin e mëtejshëm të tetovarëve.
Nga Ministria e Ekologjisë nuk zbardhën se çfarë vendimi do të propozojnë në seancën e nesërme të ekzekutivit, por thanë se propozimi i tyre do të jetë në përputhje me ligjet dhe në interes të qytetarëve.

Nga kombinati Jugohrom nuk deshën të prononcohen para kamerave por në një bisedë telefonike thanë se do të respektojnë çdo vendim të qeverisë. Eko Guerila sot përkujtoi të gjitha deklaratat e ish ministrave të ekologjisë dhe afatet e rrejshme që i kanë dhënë për mbylljen e ndotësit të madh të ajrit në Tetovë duke kërkuar që ky kombinat të mbyllet sa më shpejtë.

“Nëse qeveria merr ndonjë vendim në dëm të qytetarëve atëherë do të duhet të shohim se cilët mjete demokratike na kanë ngelur në dispozicion ku nuk do të përjashtojmë asnjë opsion. Edhe pse Jugohrom deri më tash ka qenë 6 muaj me kohë mbrapa deri më tash nuk është mbyllur dhe nuk është dënuar ose nuk është detyruar të filtrohet prandaj kjo na bën të dyshojmë se qeveria ka mundësi të vendos në dëm të qytetarëve të Tetovës edhe në të mirë të profilit të disa huliganëve” , deklaroi Arijanit Xhaferi Eko Guerila.

Edhe nga shoqata Nëna dhe fëmija kërcënuan me protesta nëse qeveria vazhdon të mbetet e shurdhët ndaj thirrjes së tetovarëve për ti dhënë fund helmimit të tyre.

“Nëse me vendimin e qeverisë vazhdohet afati mendojmë se është e politizuar situata dhe dënimi nuk bëhet në mënyrë individuale po në mënyrë kolektive jo vetëm ne si shoqatë por apelojmë që tek të gjithë qytetarët që të marrin pjesë në aktivitetet tona për shkaka se gjendja është alarmante”, tha Elmedina Abdullahu, Nëna dhe fëmijë.

Për seriozitetin e situatës alarmojnë edhe mjekët. Sipas tyre për shkak të ndotjes së lartë të ajrit janë shtuar dukshëm sëmundjet e sistemit të frymëmarrjes.

“Ndotja e ajrit e dëmton edhe shtresën e brendshme të organeve të frymëmarrjes që është një veshje e atillë mund ti dëmtoje qelizat dhe mund të çoj edhe në probleme më të mëdha që është Bronhiti ndoshta edhe më tepër”, u shpreh Abdulla Abdullahu, specialist i pediatrisë.

Në bazë të statistikave Jugohrom në ditë lëshon 30 ton pluhur, ndërsa qeveria disa herë nga prolonguar afatin e këtij kombinati i cili u deshtë që të mbyllet më 31 prill të vitit 2014./Alsat-M/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu